Ibrahimi: Falja e tatimeve do t’i dëmtonte komunat me 28 milionë euro
F.Sertolli / RTKlive
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që Ligji për faljen e tatimit në pronë nuk përbën shkelje kushtetuese, ka folur në lajmet e fundit në RTK, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai ka thënë se komunat e kanë pranuar këtë vendim dhe se kanë qenë në dijeni se deri me 8 dhjetor ta marrin vendimin për faljen e tatimit deri në 100 euro.
“Për këtë vendosin Kuvendet Komunale nëse do të ketë falje, dhe se Ministra e Financave nuk ka pasur nevojë fare t’i njoftoj komunat me vendimin e Kushtetueses, sepse komunat kanë kryetar komunash, drejtorë komunal, e zyrtarë ligjorë e të gjitha në bazë të hierarkisë dhe i shqyrtojnë të gjitha lëndët që vijnë nga gjykatat”, tha Ibrahimi.
Ai tha se edhe Kushtetuesja ka vlerësuar se komunat janë kompetente për faljen apo mos faljen e borxheve në tatime.
“Në bazë të analizave që i kemi bërë si Asociacion i Komunave të Kosovës i kemi mbledhur shënimet nëse falën këto lloj borxhesh shifra do të arrinte deri në 28 milionë euro”, tha Ibrahimi, pra dëmi në buxhetin e komunave do të ishte 28 milion euro.
Ai tha se do të duhej të merrej parasysh edhe ajo që komunat tashmë i kanë miratuar buxhetet komunale në shtator për vitin 2024, dhe se falja e këtyre borxheve do t’i dëmtonte ato.
“Komunat në miratimin e buxhetit të gjitha këto tatime i kanë paraparë në projekte investive”, tha Ibarahimi.























