Shqipëri, bora bllokon disa rrugë, vështirësi edhe në Rrugën e Kombit
BKT
Lajme

Shqipëri, bora bllokon disa rrugë, vështirësi edhe në Rrugën e Kombit

MSh/RTKlive

Reshjet e pandërprera të borës kanë vështirësuar qarkullimin edhe në Shqipëri, ndërsa komunat e veriut kanë qenë më të rënduara ne disa qarqe ka pasur edhe bllokim rrugësh.

Në Qarkun e Kukësit bora ka kaluar 30 cm, duke krijuar probleme në Rrugën e Kombit në segmentin Fushë Dukagjin-Tuneli i Kalimashit. Madje nga ky aks rrugor, RTKlive sjell audiot që tregojnë qartë për vështirësitë me kushtet e rënda atmosferike.

Rruga e Kombit në këtë segment është bllokuar nga kamionë e mjete të vogla për shkak se ishin të pa përgatitur përballë motit të keq. Sipas policisë, probleme u krijuan edhe në zona të tjera të qarkut të Kukësit, veçanërisht në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë e Fushë-Arrëzin, rrugët e bashkisë Tropojë e Has.

Sipas policisë shqiptare, situata në Qarkun Kukës deri në orën orët e mbrëmjes është e qarkullueshme me zinxhirë. Edhe në Krumë, si pasojë e prurjeve  të mëdha ka pasur probleme, por si rezultat i ndërhyrjes nga bashkia është normalizuar. Nga bashkia Tropojë nuk raportohet për ndonjë problematikë.

Në qarkun e Dibrës reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë edhe probleme. Ndërsa  për momentin Rruga e Arbërit dhe ato të Malësisë së Krujës janë të bllokuara. Bëhet fjalë për akset rrugore: Cudhi Kamp-Qafshtamë dhe Bruzë Mal-Shkretë, njofton rtsh.

Reshjet e dëborës kanë bërë të pakalueshme edhe aksin rrugor Peshkopi- Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë. Qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor Tiranë- Peshkopi po bëhet nga rruga e vjetër Klos-Burrel- Ulëz. Trashësia e borës në zonën e Dibrës ka kaluar mbi 20 centimetër, ndaj këshillohet që të bëhet kujdes dhe të përdoren gomat e dimrit, si dhe zinxhirët.


MË SHUME NGA Lajme