PSD-ja me aksion para zyrave të EULEX-it: `UÇK-ja nuk mund të gjykohet`
Elmina Osmani / RTK
PSD ka mbajtur një aksion simbolik te EULEX-i në Fushë Kosovë në kundërshtim të Gjykatës Speciale dhe vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e cila pritet që të mërkurën të vijë në Prishtinë.
Anëtari i PSD-së, Nol Nushi ka ftuar qytetarët që të mblidhen të mërkurën për të kundërshtuar vizitën e Trendafilovës me thirrjen “UÇK nuk mund të gjykohet”.
Nushi tha se Trendafilova vjen në vizitë në emër të transparencës, e sipas tij nuk ka transparencë sepse 75 përqind e seancave të gjykatës janë seanca të mbyllura dhe se tekstet janë pothuajse plotësisht të redaktuara.
“Ç’farë transparence është kjo kur Trendafilova vjen e nuk lejon as xhirime as fotografime nga takimi, kjo është thjesht një marrëdhënie e saj me publikun. Një padrejtësi të madhe po don të na e shes si drejtësi”, tha ai.
Ai deklaroi se Gjykata Speciale deri sot i ka shpenzuar 350 milionë euro, duke theksuar se me këtë ritëm të gjykimit, i cili nuk përfundon edhe pesë vjet, sipas tij gjykata do t'i shpenzojë edhe një miliard euro. “Gjitha nivelet e asaj gjykate, Prokuroria, Gjykata e Apelit, Kushtetuesja brenda saj, Ombudspersoni, të gjithë janë miq mes vete, pse ata me u mundu me bë drejtësi edhe me e kryer këtë proces shpejt, kur marrin me mijëra euro paga në kurriz të luftës çlirimtare”, tha Nushi.
























