AGK reagon pas kërcënimeve me jetë ndaj dy gazetareve
BKT
Lajme

AGK reagon pas kërcënimeve me jetë ndaj dy gazetareve

M.P. / RTKlive

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimit që kanë pasur autoret e emisionit KIKS Kosova, Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli.

Ato kanë pranuar kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, pas një hulumtimi të bërë në lidhje me një këngëtar, e i cili sipas raportimeve të mediave është i përfshirë në mashtrimet me pasaportat sllovene, fajde, si dhe shitjen e makinave të cilat i kishte marrë me qira.

Sipas komunikatës nga AGK, në një email drejtuar atyre, gazetaret tregojnë që kanë marrë kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, nga një profil i sapo hapur në rrjetin social Facebook.

“Kërcënimet e tilla drejtuar gazetarëve janë tejet shqetësuese për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi që fshihet prapa këtij profili të rremë të mbahet përgjegjës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se pas përfundimit të emisionit ku është shfaqur ky hulumtim, ka reaguar edhe vetë personi i apostrofuar në të, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook.


MË SHUME NGA Lajme