‘Takimet e Mynihut’ bashkojnë diasporën shkencore shqiptare
BKT
Foto: RTK
Në Fokus

‘Takimet e Mynihut’ bashkojnë diasporën shkencore shqiptare

Lumira Kelmendi/RTK

Nëpërmjet rrjetëzimit dhe bashkëpunimit shkencor, mbi 100 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Amerika, Gjermania, Austria etj, janë mbledhur në simpoziumin shkencor “Takimet e Mynihut” që këtë vit është mbajtur me temën “Ndërtimi i një platforme për përkrahjen e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të Diasporës shkencore shqiptare”.

Kjo ngjarje e organizuar nga Shoqëria e Akademikëve Shqiptarë “Dija” në Mynih, në bashkëpunim me Institutin shkencor mbarëkombëtar “Alb-shkenca” dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, është mbajtur në Qendrën Ndërkombëtare të Takimeve Shkencore në Munih në Gjermani.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka theksuar se synimi i përbashkët është bashkëpunimi për zhvillimin e vendit.

Në këtë takim, Nagavci prezantoi disa nga politikat e tyre në këtë drejtim si: hapja e mundësive për angazhimin e diasporës shkencore në institucionet e Kosovës, rritja e buxhetit në arsim, miratimi i planit kombëtar të shkencës.

Ajo tha se është paraparë fondi për shkencë në kornizën afatmesme, lansimi i platformës KRIS dhe KREM, si dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Horizon.  “Mungesa e një qëndrueshmërie në kërkimet shkencore, financimi jo i mjaftueshëm, mungesa e regjistrimit të diasporës shkencore, mbeten akoma pengesa dhe problematika thelbësore në ndërtimin dhe zhvillimin e strukturave bashkëkohore shkencore”, u tha në këtë takim.

Ndërkaq, kryetar i Shoqërisë së Akademikëve Shqiptarë “Dija”, Eshref Januzaj tha për RTK-në, rezultatet që dolën nga ky simpozium që zgjati dy ditë, ku u diskutua për mënyrën se si mund të krijohet një rrjet apo strukturë e diasporës shkencore, duke identifikuar disa elemente siç janë: regjistri diasporës shkencore, pastaj krijimi i një profili në mënyrë që të lehtësohet mundësia e bashkëpunimit me Institucionet dhe Universitetet e shtetit të Kosovës.

Qëllimi i Shoqërisë së Akademikëve Shqiptarë “Dija” është plotësimi i kërkesave, realizimi i ideve dhe arritja e synimeve të anëtarëve, studentëve, komunitetit akademik si dhe atij profesional. Po ashtu, ndër synimet tjera është edhe krijimi i urave lidhëse ndërmjet institucioneve, shoqatave dhe individëve nga vendet tona me partner të shteteve të BE-së.

Simpoziumi shkencor, u mbyll duke hapur rrugën për struktura dhe platforma bashkëpunimi, të cilat do të kontribuojnë në mobilizimin e diasporës shkencore dhe konkretizimin e projekteve në vendet e origjinës.


MË SHUME NGA Në Fokus