Kurti: Shqiptarët duhet të përfaqësohen në parlamentin e Serbisë
BKT
Lajme

Kurti: Shqiptarët duhet të përfaqësohen në parlamentin e Serbisë

Sh.Ç /RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, është takuar në Prishtinë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët përtej dallimeve politike lokale, kanë vendosur të mblidhen rreth një liste të përbashkët për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ka grumbulluar rreth vetes Partinë për Veprim Demokratik të udhëhequr nga Shaip Kamberi, Partinë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës, Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqipërim Musliut, Unionin Demokratik Shqiptar me Naser Azirin dhe Aleancën për Luginën, të përfaqësuar nga Armend Aliu.

Diskriminimi në përfaqësim, pasivizimi i adresave, padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve janë çështje e brenga për të cilat ka nevojë që të flitet me zë të bashkuar e të koordinuar, u tha në takim.

Kryeministri Kurti u uroi përfaqësuesve të këtyre pesë partive politike për dakordimin e arritur dhe u dëshiroi përgatitje e fushatë të suksesshme për zgjedhjet e 17 dhjetorit, e të cilat kanë rëndësi të veçantë për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë si dhe për synimet e përbashkëta për drejtësi dhe barazi për shqiptarët si pakicë kombëtare atje.

Kamberi njofton Kurtin për zgjedhjet në Serbi

Partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, kanë zhvilluar një takim në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, të cilën e kanë informuar mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit.

Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi përmes një postimi në Facebook.

Kamberi ka shkruar se e ka njoftuar kryeministrin Kurti mbi rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm”, ka thënë Kamberi.

Ai e ka quajtur të rëndësishme që në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi të vazhdohet përfaqësimi i drejtë dhe i denjë i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi”, ka thënë Kamberi.


MË SHUME NGA Lajme