Sërish tymuese në Kuvend, miratohet buxheti dhe paketa fiskale 2024
RTSh
Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në një seancë që zgjati vetëm 8 minuta, mazhoranca ka miratuar nen për nen Buxhetin për vitin 2024.
Kaosi i shkaktuar nga deputetët e opozitës nuk e pengoi mazhorancën të kalonte me 74 vota pro Buxhetin, ndërsa vota kundër ishin vetëm 4.
Sikurse edhe në seancat e kaluara opozita ndoqi të njëjtin skenar, duke tentuar të bllokonte zhvillimin e punimeve. Që para nisjes së seancës plenare, ata mblodhën karriget para foltores, duke u përplasur edhe me gardistët. Gjatë seancës, ata ndezën flakadanë, hodhën kapsolla ndërsa po ashtu shkaktuan zhurmë duke i rënë tavolinave.
Opozita ka deklaruar se do të vijojë ta sabotojë seancat plenare, duke akuzuar se Kuvendi është bërë palë me maxhorancën për t’i penguar ata të kryejnë detyrat që i takojnë. Opozita ka kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore në lidhje me inceneratorët, koncesionet McGonigal dhe zgjedhjet lokale të 14 majit, si dhe ndryshimin e përbërjes së komisionit për Reformën Zgjedhore.























