Nënshkruhen marrëveshjet e projektit madhor për ngrohtoren solare
BKT
Foto/ Arbresha Berisha / RTK
Lajme

Nënshkruhen marrëveshjet e projektit madhor për ngrohtoren solare

Arbresha Berisha / RTK

Ministria e Financave dhe ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” kanë mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të nën-huazimit dhe nën-grantit për projektin e ngrohtores solare në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se përmes kësaj marrëveshje çmimi i ngrohjes do të jetë më i volitshëm për qytetarët, ndërsa do të kursehet edhe energjia elektrike, raporton RTKlive.

"Është kënaqësi që jemi këtu për të nënshkruar tri marrëveshje që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe funksionalizimin e ngrohtores diellore të kryeqytetit. Ky projekt është në vlerë rreth 80 milionë euro dhe ka rëndësi të veçantë pasi mundëson zgjerimin e rrjetit dhe kësisoj siguron që çmimi për ngrohje të jetë i volitshëm për qytetarët dhe të kursehet energjia. Ky projekt ka rol edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në emër të Qeverisë dua të falënderoj Bashkimin Evropian, shtetin gjerman dhe Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim", theksoi ministri Murati.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde derisa u shpreh i lumtur që më në fund po bëhet nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, tha se ky do të jetë një ndër projektet më të mëdha në Evropë.

Ndërkaq, drejtori i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko u shpreh se pret që pas nënshkrimit, marrëveshjet të zbatohen me sukses.

Në anën tjetër, moment historik e cilësoi këtë të sotmin kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

"Kjo ngjarje shënon një moment historik që është me rëndësi të madhe për kryeqytetin. Projekti ka të bëjë edhe me fuqizimin e komunitetit, nxitjen e rritjes ekonomike dhe përkrahjen e qëndrueshmërisë mjedisore. Ky projekt do të ndikojë edhe në zbutjen e ndryshimeve klimatike", theksoi Rama.

Ndërsa, ngrohje të qëndrueshme dhe të përballueshme paralajmëroi kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit “Termokos”, Fisnik Osmani.

"’Termokos’ po kalon një fazë të rëndësishme. Tani kemi 30 mijë konsumatorë nga 19 mijë sa kishim më herët", shtoi ai.


MË SHUME NGA Lajme