Hovenier për Radoiçiqin: Nuk e di nëse Serbia do t’i përgjigjet interpolit
BKT
Lajme

Hovenier për Radoiçiqin: Nuk e di nëse Serbia do t’i përgjigjet interpolit

M.Sh/RTKlive

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dënuar edhe një herë sulmin terrorist në Banjskë me 24 shtator, duke kërkuar që personat të cilët shkaktuan konfliktin, të marrin dënimin e merituar. Ndërsa sa i përket kërkesës së interpolit për Milan Radoiçiqin, ai tha se nuk e di nëse Serbia do t`i përgjigjet njoftimit të kuq të Interpolit.

Ai thotë se ka disa shembuj që një vend nuk e ka ekstraduar një person të caktuar në një shtet tjetër, edhe pse është kërkuar. Gjatë qëndrimit të sotëm në Mitrovicën e Jugut, Hovenier është pyetur nëse Perëndimi do të marrë masa ndaj Beogradit zyrtar, nëse nuk e ekstradon Radoiçiqin.

“Ne presim që kjo të ndodhë dhe këtë ua kemi thënë qartë autoriteteve në Serbi dhe autoriteteve të tjera”, tha Hovenier, duke dënuar ngjarjet në Banjskë më 24 shtator, derisa kërkoi që “të gjithë ata që morën pjesë në sulmin kriminal duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Kur është fjala për Radoiçiqin, ambasadori amerikan tha se nuk mund të flasë nëse Serbia do t'i përgjigjet apo nuk do t'i përgjigjet njoftimit të kuq të Interpolit.

"Nuk mund të them me saktësi se si do të përgjigjet apo mos përgjigjet Serbia ndaj një kërkimi me alarm të kuq nga Interpoli. Alarmi i kuq thjesht kërkon nga qeveritë që potencialisht ta arrestojnë dikë bazuar në procedurat legale të një vendi, por ka raste që shumë vende nuk veprojnë për ekstradim duke u bazuar në këtë alarm të kuq, si dhe ka edhe mjaft kushte të tjera”, tha ai.

Ndryshe, kundër Milan Radoiçiqit është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për sulmin në fshatin Banjskë.


MË SHUME NGA Lajme