Drejtuesit e RTK-së vizitojnë Radio Kukësin, diskutohet për bashkëpunimin
M.P. / RTKlive
Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, bashkë me drejtorin e Radio Kosovës, Arsim Halili dhe delegacionin e transmetuesit publik kanë vizituar sot hapësirat e Radiotelevizionit Shqiptar, zyra në Kukës.
Në takim është premtuar investim i transmetuesit publik të Kosovës në paisje dhe infrastrukturë të mediumi i cili ka qenë për shumë vite adresë informimi për gjenerata të ndryshme.
“Jemi dakorduar që të vijmë dhe ne të shohim se në çfarë kushtesh punojnë dhe absolutisht të dakordohemi për hapat e tjerë të bashkëpunimit, qoftë programor qoftë edhe në aspektin teknik. Ne e pamë se në çfarë gjendje është RTV Kukësi, pamë se ka mangësi të mëdha qoftë në aspektin teknik apo të televizionit. Do të shohim mundësitë tona në mënyrë që të ndihmojmë, sepse edhe me territore jemi afër për edhe problemet i kemi të njëjta”, ka deklaruar Ahmetxhekaj.
Tutje drejtuesi i RTK-së ka thënë se Radio Kukësi ka mbajtur të gjallë ndjenjën e atdhedashurisë në Kosovë.
“Jemi këtu në një radio e cila ka kontribuar shumë për informimin dhe edukimin e shumë brezave në Kosovë. Brezat e prindërve të mi dhe të tjerëve kanë një nostalgji të jashtëzakonshme për atë çfarë ka transmetuar Radio Kukësi në përgjithësi dhe kulturës e traditës shqiptare, duke mbajtur gjallë ndjenjën e atdhedashurisë”, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm.
Drejtori i Radio Kukësit, Jonuz Hallaçi, ka thënë se ky takim ka qenë vëllazëror dhe se pret konkretizim të mbështetjes.
“Besojmë se hapat e tillë ndihmojnë mjaft në bashkëpunimin që do të kenë dy institucionet mediatike, qoftë në shkëmbimin e programeve, por mbi të gjitha te mundësitë e ndihmës që RTK-ja mund t’i jap RTSH Kukësit në mënyrë që të ecim me ritmin e kohës”, ka deklaruar Hallaçi.
I pranishëm në takim ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, me të cilin është shqyrtuar mundësia e bashkëpunimit në aktivitete të ndryshme kulturore.


























