PDK: Buxheti i vitit 2024 nuk mundëson zhvillim ekonomik
B.H. / RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës këmbëngul se buxheti për vitin 2024 nuk do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
Koordinatori për Financa në këtë subjekt politik, Arben Mustafa, ka deklaruar se me buxhetin për vitin 2024, Qeveria Kurti tejkalon 10 miliardë euro buxhet në administrim për katër vite, e përmes të cilit nuk ka arritur të realizoj asnjë projekt të madh për vendin.
“Për katër vite qeverisje, kjo Qeveri pritet t’i shpenzojë deri në fund të mandatit mbi 10 miliardë euro taksa të qytetarëve, por nuk ka realizuar asnjë projekt madhor për qytetarët e vendit. Prandaj, shihet qartë se kjo Qeveri nuk ka asnjë plan për ta zhvilluar Kosovës dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve”, ka thënë Mustafa.
Më tej, ai ka thënë se edhe buxheti për vitin 2024 është vetëm për 3% më i lartë në krahasim me buxhetin e vitit paraprak. Sipas tij, kjo rritje kaq e ulët e buxhetit reflekton ngecjen e përgjithshme të ekonomisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe.
Mustafa ka treguar se në buxhetin për vitin 2024, shuma e alokuar për investime kapitale përfaqëson vetëm 26% të gjithsej shpenzimeve të planifikuara buxhetore, përderisa pjesëmarrja e shpenzimeve për subvencione dhe transfere ka arritur në 32.2%.























