Kurti takohet me komunitetin malazez, flet për regjistrimin e popullsisë
N.M. /RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me komunitetin malazez, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi.
Bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për mbështetjen ndaj komunitetit jo-shumicë gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe grantet shtesë prej 3 milionë eurosh që u ndanë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, ku përfituese kanë qenë dhe OJQ-të malazeze, por edhe ndryshimet pozitive në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për zhvillimin e rrugëve që lidhin shtetin e Kosovës me atë të Malit të Zi – mes Deçanit dhe Plavës, dhe ndërmjet Pejës dhe Rozhajës.
“Kryeministri ka theksuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në muajin prill të vitit të ardhshëm. Në këtë regjistrim, për herë të parë, çdo shtëpie i është dhënë e drejta të ketë regjistrues nga komuniteti i saj, për të mos ndjerë asnjë presion për të deklaruar ndryshe”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Pjesëmarrësit kanë vlerësuar pozitivisht mundësinë për të biseduar për këto çështje dhe për të punuar së bashku përballë sfidave të përbashkëta.























