Sekuestrohen 107 vepra arti në Shqipëri që i përkasin antikitetit grek
E. Hoti / RTKlive
Policia e Fierit në Shqipëri ka njoftuar se gjatë operacionit policor të koduar “Vlera”, ka sekuestruar 107 vepra arti me vlerë rreth 1.5 milionë euro, që dyshohet se janë trafikuar nga Greqia.
Policia ka sqaruar se disa prej këtyre veprave i përkasin periudhës së antikitetit.
Për trafikimin e tyre janë arrestuar dy persona.
Policia thotë se ata akuzohen për trafikim të veprave të artit dhe kulturës.
“Gjatë operacionit, në banesat e këtyre 2 shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit në banesat e të ndaluarve është gjetur edhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një peshore elektronike.























