Kurti: Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë
V.Th. RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë.
Këtë deklaratë Kurti e ka bërë në ekspozitën “Bebëzat e mallit”, të fotografit Korab Krasniqi dhe kuratores Vesa Sahatçiu dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë.
Kurti tutje tha se krahas së qenit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë e hapur në Ministrinë e Drejtësisë, është edhe ftesë për reflektim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.
“Ngjarje të këtilla, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë”, ka thenw ai.
“Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri”, shtoi kryeministri, duke theksuar se vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë.
Andaj tha se është obligim, për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë.























