Abdixhiku: Lindja e LDK-së, ishte lindje e aspiratave të popullit për liri
V.Th. RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kujtuar 34 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike.
“Si përgjigje ndaj thirrjes monumentale të historisë, këta themeltarë të orëve të rënda, kishin krijuar lëvizjen më të madhe e më domethënëse historike të shqiptarëve të Kosovës, kishin krijuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në krye të kësaj besëlidhje e kësaj lëvizje popullore, qëndronte prijësi ynë historik, ati themeltar i shtetit të Kosovës, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se lindja e LDK-së, ishte lindje e aspiratave të artikuluara politike të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi, për demokraci, dhe se ishte lindje e përpjekjes kolektive për jetë të lirë, të dinjitetshme, të pavarur, në shtetin e Republikës së Kosovës.
“Sot, në këtë 34 vjetor, uroj dhe ftoj secilin anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, secilin të djathtë, patritot e rugovist, të angazhohet në rrugëtimin tonë të ri historik; fitoren e madhe të dekadës së katërt, që përmbushë ëndrrën tonë politike të ditëve të para: Kosova një shtet i lirë, i pavarur e sovran, i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” ka shkruar ai.
Abdixhiku me bashkëpartiakët aktivitetet sot i kanë nisur tek varri i Themeltarit , duke vazhduar me Forumin e Rinisë tek Muzeu "Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova"..























