Gjykata e Lartë e kthen për rishqyrtim në Apel me trupë tjetër gjykuese
BKT
Shqipëri

Gjykata e Lartë e kthen për rishqyrtim në Apel me trupë tjetër gjykuese

RTSH

Gjykata e Lartë ka kthyer për rishqyrtim në Gjykatë e Apelit çështjen e vulës dhe logos së Partisë Demokratike, duke kërkuar gjykim me trupë tjetër gjykuese.

Në vendimin e marrë ditën e sotme, Gjykata e Lartë prish vendimin e Gjykatës së Apelit më 3 mars të këtij viti, që shfuqizoi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri dhe e dërguan çështjen për rishqyrtim në shkallën e parë me një tjetër trupë gjykuese.

Gjykata e Lartë argumenton se në vendimin e 3 marsit të Apelit ka patur shkelje procedurale. Po ashtu, Gjykata e Lartë i kërkon Gjykatës së Apelit që të marrë një vendim nëse qëndrimi i Zhukrit, i cili konfirmoi Kuvendin e 11 dhjetorit të Rithemelimit, është apo jo i drejtë.

“Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.  Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë. Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

‘Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese’”, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Kujtojmë se më 25 mars të vitit 2022, gjyqtari Agron Zhukri miratoi ndryshimet e Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit, ku u vendos shkarkimi i Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së dhe kalimin e partisë te ish-kryeministri Sali Berisha.  

Por vendimi i 3 marsit në Gjykatën e Apelit e rrëzoi këtë vendim, duke e rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallën e parë, por me trupë tjetër gjykuese.

Por tashmë, me vendimin e Gjykatës së Lartë është Gjykata e Apelit që do të duhet të marrë një vendim se kujt i takon vula dhe logo e partisë më të madhe opozitare në vend.

PD zyrtare: Hap drejt vendosjes së drejtësisë së vonuar

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë që ktheu për rishqyrtim në Apel çështjen e vulës së partisë. Në një postim në Facebook, PD e konsideron vendimin e kësaj të mërkure (27 dhjetor) si një hap drejt vendosjes së “drejtësisë së vonuar” për këtë çështje.  

“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është një tjetër hap drejt vendosjes se drejtësisë se vonuar për çështjen e PD. Partia Demokratike mbetet e bindur qe kjo çështje, peng i procedurave juridike do te gjeje zgjidhjen e duhur dhe ligjore pa vonesat e shkaktuara nga ata qe minojnë drejtësinë dhe te tjerët qe i tremben forcimit te opozitës”, thotë PD.

Gjykata e Lartë ktheu për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen, me trupë tjetër gjykuese, ndërsa për vendimin e 3 marsit u shpreh se ishin konstatuar shkelje procedurale.


MË SHUME NGA Shqipëri