Kurti për ndarjen nga jeta të Delors: Ishte kampion i lëvizjes së lirë
BKT
Lajme

Kurti për ndarjen nga jeta të Delors: Ishte kampion i lëvizjes së lirë

M.Sh/RTKlive

Themelues i projektit historik për monedhën e përbashkët të Bashkimit Evropian, Jacques Delors që ishte president i Komisionit Evropian, ka vdekur në moshën 98-vjeçare. Ai konsiderohet si një avokues i madh i integrimit evropian të pasluftës, ndërsa për tri mandate ishte president i KE, që e bëri atë presidentin më jetëgjatë të BE-së.

Për vdekjen e tij ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili thotë se vdekja e tij erdhi në prag të liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Në prag të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ne vajtojmë vdekjen e Jacques Delors, një kampion i lëvizjes së lirë dhe presidenti më jetëgjatë i tij i KE-së. Nga Euro në programin Erasmus, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Kosovë, BE dhe botë”, ka shkruar në rrjetin social X, kryeministri Albin Kurti.

Edhe shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Jodep Borell ka shkruar për vdekjen e Deelors.

“Jacques Delors ka vdekur. Evropa sapo ka humbur një nga gjigantët e saj. Ai ka formësuar fatin e BE-së përmes fuqisë së bindjeve dhe ashpërsisë së veprimit të tij. Ai hyn kështu në Panteonin e të mëdhenjve që ka nxjerrë Evropa dhe trashëgiminë e të cilëve duhet të marrim përsipër”, ka shkruar Borell në X.

Kujtojmë se gjatë udhëheqjes së Delors me Komisionin Evropian u ndërmerren disa hapa gjigant në integrimin e BE-së, siç janë: themelimi i tregut të përbashkët; marrëveshja për lëvizje e liri – Schengen; programi i këmbimit të studentëve Erasmus; dhe krijimi i monedhës së përbashkët të BE-së-Euro.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nderoi bashkëkombësin e tij, i cili tha se ishte “arkitekt i pashtershëm i Evropës sonë” dhe luftëtar për drejtësinë njerëzore.

Jacques Lucien Jean Delors lindi në Francë më 20 korrik 1925. Para se të bëhej president i Komisionit Evropian, ai ishte Ministër i Financave i Francës nga viti 1981 deri në vitin 1984 dhe anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 1979 deri në vitin 1981.


MË SHUME NGA Lajme