Svarça: RTK gjatë festave të fundvitit me program të jashtëzakonshëm
E. Hoti / RTKlive
Ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të RTK-së, Xhevdet Svarça tha se Televizioni Publik gjatë festave të fundvitit do të ketë një program të zgjedhur dhe të larmishëm që i përmbushë pritjet e të gjitha kategorive, por edhe të komuniteteve.
“Ne kemi bërë një përzgjedhje të programit dhe jemi munduar që t’i përafrohemi të gjitha shijeve pak a shumë. Programi i Vitit të Ri është shumë sfidues, pasi që njerëzit kanë preferenca të ndryshme, por ne duhet të jemi më të kujdesshëm në përzgjedhje, dhe besoj se sivjet kemi program jashtëzakonisht të mirë”, deklaroi ai.
Do të jenë disa artistë e këngëtarë që frekuentojnë të gjithë ekranet televizive në Kosovë, por RTK sipas tij, është munduar t’i marrë disa që kanë vlera, që kanë treguar, siç tha ai, sukses gjatë këtyre viteve të fundit.
“Programi sivjetëm është pak më i veçantë, pasi që ka rënë në ditën e diel dhe njerëzit sot do të jenë pranë kanaleve televizive. Ne kemi përzgjedhur ta mbajmë menjëherë pas “Emisionit të Mëngjesit” edhe një emision tjetër " Studion e hapur" ku do të flasim edhe për festen, por edhe liberalizimin e vizave”, deklaroi ai.
Svarça tha se për heqjen e vizave, është një udhëtim prej 50 udhëtarësh që është organizuar dhe RTK do ta mbulojë atë.
“Pastaj e kemi edhe programin e komuniteteve sepse neve na takon edhe me ligj. Është një program i tyre i përgatitur shumë mirë në të gjitha gjuhët. E kemi programin e pasdites, pastaj hyjmë në emisionin e fëmijëve dhe nga ora 20.00 pastaj fillojmë me program. Por, besoj që ka tri ditë program të mirë”, deklaroi ud/kryeredaktori Svarça.
Ndërsa me 1 janar, është koncerti tradicional i Filarmonisë së Vjenës. “Para kësaj kemi edhe koncertin e Filarmonisë së Operës së Kosovës. Mos të harrojmë edhe maratonën e filmave vendorë që kanë fituar edhe çmime ndërkombëtare”, tha në fund ai.























