Osmani: Puna e Policisë, thelbësore për sigurinë e Republikës
M.Sh/RTKlive
Presidentja Vjosa Osmani e shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në prag të Vitit të Ri, vizitoi Stacionin Policor Qendër, nga ku shprehu vlerësim të thellë për angazhimin profesional dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Policisë së Kosovës në mbrojtjen e sovranitetit të shtetit gjatë një viti sfidues për sigurinë kombëtare, përfshirë edhe në ndërrimin e motmoteve, larg familjeve të tyre.
Presidentja përkujtoi edhe Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra fli në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, si dhe në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë.
Gjatë vizitës, presidentja u informua edhe me dinamikat dhe aktivitetet e përditshme të Stacionit Policor Qendër dhe përgatitjet për ndërrimin e moteve.
Presidentja Osmani i inkurajoi të vazhdojnë me të njëjtën devotshmëri dhe integritet në shërbimin ndaj qytetarëve.
Duke uruar një Vit të Ri të mbarë, presidentja Osmani potencoi se puna e Policisë së Kosovës është thelbësore për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës.























