Një jetë kushtuar gazetarisë sportive, rrëfehet Gani Kosumi 
BKT
Sport

Një jetë kushtuar gazetarisë sportive, rrëfehet Gani Kosumi 

F.Bytyqi/RTKLive

“Që nga shkolla e mesme u dashurova në gazetarin sportive. Fillova me gazetari dhe kjo ishte dëshira ime që një ditë të bëhem gazetar. Me punë, angazhim dhe përkushtim ja dola që të bëhem një gazetar dhe të përcjell aktivitet sportive”.

Kështu e nis rrëfimin e tij në “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës, gazetari i njohur kosovar, Gani Kosumi.
Kosumi, i cili tashmë është pensionuar nga zeja e gazetarisë sportive, për shumë vite ishte drejtues i programit të sportit në Radio Kosova, derisa ai ka raportuar edhe për disa mediume tjera përfshirë edhe Radio Televizionin Shqiptar, që sipas Kosumit RTSH ishte një dritare e fuqishme në kohën kur sportit kosovar zhvillohej në kushte tejet të vështira pas largimit nga terrenet sportive nga regjimi serb.

Kosumi thotë se në karrierën e tij të gazetarisë sportive, ka hiq më pak se 10 mijë orë program të realizuar përfshirë edhe kronika sportive, por sipas tij, i gjithë ky material ishte zhdukur në vitin 1990  pas dëbimit nga puna.

“Diku rreth 10 mijë orë program te realizuar qoftë drejtpërdrejt të emisioneve, qoftë kronika, por fatkeqësisht më dëbimin nga puna më 5 korrik 1990, u zhdukën pothuajse të gjitha materialet që kemi pasur. Me pastaj erdhi koha pak më e vështirë për të mbijetuar sporti i Kosovës, ku përcillnim aktivitet sportive dhe kjo periudhë ishte e vështirë, por disi ia dolëm që të komentojmë për atë periudhë sesi kalonte sporti i Kosovës”, ka thënë Kosumi.

“Sportistët e Kosovës u larguan nga terrenet sportive dhe fushat e futbollit dhe si rezultat i kësaj u desh të informohet opinioni i gjerë dhe siç thatë edhe ju patëm një dritare në Radio Televizionin Shqiptar që të paraqesim atë se çfarë po ndodh në sportin e Kosovës. Në Kosovë atë kohë ishte vetëm gazeta “Bujku” në të cilën raportohej se çfarë po ndodh në sportin e Kosovës. Ne me raporte, kronika tregonim se si po zhvillohen aktivitet sportive”, ka theksuar ai.

Ai thotë se ekziston një dallim i madh mes asaj periudhë dhe periudhës së sotëm. 

“Dallim i madh se në kohën kur zhvilloheshin ato aktivitet, atëherë kushtet ishin shumë të vështira, ishin sportistët e sakrificës, të cilët bëni gjithçka që mbaheshin gjallë aktivitetet sportive. Drejtues të sportit, sportistët, u organizuan në mënyrë të drejtë që të zhvillojnë aktivitet sportive edhe në ato kushte, kushte që për rrethana në Evropë ishte vendi i vetëm që kishte ndodhur një gjë e tillë. Pamjet tregojnë ku është luajtur futboll, ku kanë luajtur sportistët, në çfarë kushte dhe në çfarë rrethana kanë luajtur. Sot është shumë lehtë të bësh gazetari sportive, sidomos në radio, sepse kushtet janë shumë më të mira dhe informacionet më të sigurta në çdo cep të botës”.

“Atëherë nuk kishte telefona celular, por kishte telefona fiks, duhet angazhuar shumë për të siguruar rezultatet, informacionet sportive, por me përkushtim të madh, me njerëz që i kishim në terren, siguronim informacione të bollshme për atë kohë dhe mendoj se atë kohë kanë luajtur një rol të madh Radio Prishtina e pastaj Radio Kosova që nga viti 2000 e këndej sa kam qenë drejtues i programit sportiv në Radio Kosova”, ka pohuar Kosumi.

Ikona e gazetarisë sportive, thotë se ngjarja që më e madh për të dhe që do ta kujton gjithë jetën ishte pranimi i Kosovës në UEFA në Budapest më 3 maj 2016.

“Momenti që do të mbajë mend gjatë gjithë jetës është Budapesti, 3 maj 2016 me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA. 30 gazetarë të sportit kemi qenë në Budapest për ta përcjell këtë ngjarje dhe për të pritur lajmin e mirë se Kosova më në fund do të jetë anëtare e UEFA-së e pas disa javësh u bë edhe anëtare e FIFA-së”, thotë Kosumi.

Ai ka folur edhe për ekspozitën “Mbijetesa e Sportit të Kosovës”, ku përmes shumë fotografive ka treguar sesi ka mbijetuar sporti i Kosovës.