Rama: Shqipëria, gati për t’u zbuluar gjatë 2024
N.M. /RTKLive
Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria turistike është gati për t’u zbuluar gjatë vitit 2024, duke ofruar të gjitha llojet e turizmit.
Rama, në një postim në Facebook, të shoqëruar edhe me pamje, bënë të ditur se viti 2023 u mbyll me mbi 10 milionë turistë për Shqipërinë, një shifër kjo rekord në historinë e turizmit për vendin.
Por, sipas tij, ambiciet e qeverisë së tij janë që ky numër, jo vetëm të arrihet sërish gjatë vitit 2024, por edhe të tejkalohet.
“Shqipëria turistike është gati për t’u zbuluar gjatë gjithë 2024-ës me të gjitha bukuritë e saj: nga malet e thepisura që shohin ujërat e bruzta të deteve, qytetet e lashta, e më në thellësi akoma, traditat sa të vjetra aq të gjalla që janë shpirti i vërtetë i saj dhe përvojat e bukura të gjithë udhëtarëve që një vendi dinë t’i rrokin shpirtin”, shkruan Rama.























