Senati i SHBA-së refuzon David Kostelancik si ambasador në Shqipëri
RTSH
Senati amerikan nuk e ka miratuar emërimin e David Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Senati i ka kërkuar Presidentit të SHBA, Joe Biden, që të miratojë një kandidat të ri për postin e ambasadorit.
Senati i ka kthyer presidentit Joe Biden, kandidaturën e David J. Kostelancik, për ambasador të SHBA-së në Shqipëri. Vendimi është marrë më 3 janar.
Kostelancik pritej që të zëvendësonte në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, të cilës i ka përfunduar mandati prej disa muajsh tashmë.
Diplomati amerikan ka shërbyer edhe më herët në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike. Ai ka punuar edhe si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
David J. Kostelancik ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit. Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë si dhe në misionet e SHBA në OSBE dhe NATO.
I lindur në Ilinois, Kostelancik është diplomuar në Universitetin NorthWestern të këtij shteti. Ai ka dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës dhe Universiteti i Miçiganit.























