Kryeministri i Malit të Zi: Po punohet për arrestimin e sulmuesve
RTKlive
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka reaguar pasi tre të rinj shqiptarë që ishin nisur drejt Gjermanisë, janë rrahur në mënyrë barbare në Kotor, nga tetë persona me veshje ushtarake.
Kryeministri i Malit të Zi në një postim në rrjetin social “X” ka shkruar se rasti është duke u hetuar dhe se njëri prej sulmuesve është identifikuar. Spajiq ka shprehur keqardhje duke thënë se po punohet për arrestimin e sulmuesve.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oazë paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, ka shkruar kryeministri malazez.
Ndërkaq Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka falënderuar kryeministrin Spajiq, i cili ka reaguar për rastin e dhunës ndaj tre shqiptarëve në Mal të Zi.
Balla më herët ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij Danilo Sharanoviq, me ç’rast ka kërkuar informacione lidhur me rastin, ndërsa ka falënderuar Policinë e Malit të Zi për reagim të menjëhershëm.
Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq ka deklaruar se ngjarja ku tre të rinj nga Shqipëria raportohet se u dhunuan barbarisht po hetohet me intensitet.
“Djemtë janë mirë. Do t’ju informoj për gjithçka. Kolegët e mi po bëjnë gjithçka për të hetuar ngjarjen sa më shpejt të jetë e mundur. Gjëja më e rëndësishme është që djemtë janë mirë,” shkruan ai.
Reagimi i Ambasadës shqiptare në Mal të Zi
Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi informoi të shtunën se po e ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s.
"Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor.
Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve.
Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze", njoftoi ambasada.























