Analistët: Osmani bashkëpunuese me SHBA-në e BE-në, por jo edhe me vendorët
BKT
Lajme

Analistët: Osmani bashkëpunuese me SHBA-në e BE-në, por jo edhe me vendorët

Bardha Shkreli/RTK-Radio

Analistët politikë në vend, Dritëro Arifi e Arta Tahiri, konsiderojnë se presidentja Vjosa Osmani gjatë vitit të kaluar, ka ruajtur raportet e mira me SHBA-në e BE-në, por nuk ka arritur të jetë faktor unifikues me partitë opozitare. Sipas tyre, Osmani është munduar të ruaj një ekuilibër, por në disa raste, siç thonë ata, i ka munguar reagimi.

Njohës të rrethanave politike në vend pa dashur të gjykojnë mbi emrin e presidentes Vjosa Osmani, rolin e zyrës së saj, gjatë vitit të shkuar e kanë cilësuar si jo të hapur e jo bashkëpunues sa do të duhej të ishte. Për profesorin e shkencave politike Dritëro Arifin, Presidenca si institucion nuk është treguar unifikues.

“Presidenca si institucion nuk është treguar unifikues, sepse ka pasur shumë raste ku Presidenca nuk ka reaguar, kur është dashur që të reagojë. Kur Qeveria ka bërë shkelje kushtetuese, ne e dimë në të gjitha rastet Presidenca nuk i ka marrë hapat e duhur për të dialoguar. Edhe me opozitën, por edhe me qeverinë, ka pasur raste kur është dashur të dialogohet ta zëmë rreth ligjeve, që nuk munden të dërgohen vetëm shkel e shko, pastaj shumë veprime të tjera me politikën e jashtme, nuk janë harmonizuar me Presidencën e po ashtu edhe opozita shpeshherë është lënë në terr informativ sidomos rreth Asociacionit”, deklaroi Arifi.  

Për më tepër, Arifi thotë se Presidenca nuk ka arritur që të dalë mbi egon e vet dhe të reflektonte për çështje të rëndësishme.

“Nuk ka arritur që të dalë mbi egon e vet dhe të bashkëpunojë më shumë me opozitën dhe të krijohet një bashkëpunim në frymën e asaj se si duhet të zhvillohet shteti i Kosovës bazuar në meritat që ka secili në pozicionet që janë aktualisht. Prandaj, mendoj që nëse ka një notë për vlerësim, Presidenca një notë kaluese e ka, por kjo nuk është e mjaftueshme për një institucion kaq të rëndësishëm”, deklaroi ai.

Arifi shtron nevojën e rishikimit të reformës zgjedhore, në mënyrë që presidenti i vendit të zgjidhet me vullnetin e qytetarëve.

Meqë Kosova zgjedhjen e presidentit e ka bërë në bazë të marrëveshjeve politike, edhe mund të priten pakënaqësi qoftë nga opozita apo të tjerë. Kështu e sheh situatën analistja Arta Tahiri.

“Gjersa presidentët e Kosovës zgjidhen sipas metodës së sistemit parlamentar, asnjëherë nuk mund të ketë unifikim partiak duke mbajtur balancë. Zonja Osmani është munduar të ruajë një ekuilibër, por domosdoshmërish në një situatë apo në një tjetër janë shpërfaqur situata ku ka pasur anime, sepse tek e fundit deri vonë ka qenë pjesë e një subjekti politik dhe nuk mund të jesh shumë objektive në këtë rast”, deklaroi Tahiri.

Sidoqoftë, njohës të rrethanave politike e kanë vlerësuar presidenten Osmani për ruajtjen e raporteve të mira me SHBA-në e BE-në.


MË SHUME NGA Lajme