Konjufca për zgjedhjet parlamentare: Sa më herët aq më mirë për Kosovën
E. Hoti / RTKlive
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare është në të mirë të Kosovës. Sipas tij, gara më e ashpër në skenën politike ka me qenë për vendin e dytë.
Këto deklarata kryeparlamentari Konjufca i bëri pas homazheve para bustit të Kadri Zekës.
Konjufca ka thënë se nëse mbahen zgjedhjet parlamentare kërkohet koordinim me subjektet politike dhe nstitucionet përgjegjëse, përfshirë Qeverinë dhe Presidencën.
“Sa më herët ma merr mendja aq më mirë për Kosovën. Mirëpo natyrisht që Qeveria i ka planet e veta, projektet të cilat janë duke i realizuar dhe pastaj në bazë të këtyre dyjave duhet të gjejmë një drejtpeshim në kohën më të mirë të zgjedhjeve e cila do të bëhet pas konsultimeve me subjektet politike, por edhe mes kryeministrit, presidentes e edhe mes meje si kryeparlamentar”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari Konjufca ka komentuar edhe koalicionin e paralajmëruar në mes të AAK-së dhe Nisma Socialdemokrate.
Ai ka përmendur edhe sondazhet që nxjerrin Vetëvendosjen të parën.
“Koalicionet kanë ndodhur edhe në të kaluarën, po ndodhin edhe tash. Nuk është ndonjë befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën me sa e mbaj mend unë, po ndodh sërish. E sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, çka me thanë, sondazhet janë, rezultatet janë të qarta. Unë mendoj që ka me qenë një garë e ashpër për vendin e dytë në skenën politike", ka theksuar ai.























