Qeveria mbështet BQK-në, Euro valuta e vetme në Kosovë
BKT
Lajme

Qeveria mbështet BQK-në, Euro valuta e vetme në Kosovë

Blerim Halimi | RTKlive

Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me rregulloren e re, e cila specifikon se Euroja do të mbetet e vetmja valutë zyrtare në Kosovë, duke përjashtuar dinarin serb me të cilin Serbia i paguan qytetarët serbë në Kosovë.

Një qëndrim të tillë të ekzekutivit e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, një ditë para se rregullorja e re e BQK-së të hyjë në fuqi.

Bislimi ka konfirmuar se rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.

“Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, e sidomos kjo vlen për miqtë tanë ndërkombëtar, nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores së miratuar nga BQK. Nuk e vë në dyshim as faktin se BQK është institucioni i vetëm që dizajnon dhe zbaton politikën monetare në vend. Nuk e vë në dyshim se në gjithë këtë proces BQK është institucion i pavarur dhe që në këtë dizajnim të politikave monetare BQK i nënshtrohet vetëm Kushtetutës tonë dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare që rregullojnë sistemin e pagesave”, ka theksuar Bislimi.

Sipas tij partnerët ndërkombëtar nuk e kontestojnë që Euro ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vetmja valutë zyrtare në përdorim dhe sipas tij të gjithë e vlerësojnë lart nevojën për mbrojtjen e qytetarëve dhe sistemit bankar nga kartëmonedhat e falsifikuara, nga aktivitetet që financojnë terrorizmin dhe rreziqet tjera me të cilat ballafaqohet sistemi financiar i një shteti.

“E vetmja brengë e partnerëve tanë ka të bëjë me domosdoshmërinë që për përshtatjen eventuale të operimit nën ombrellën e re të rregullave, ata qytetarë që kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë transfere nga Republika e Serbisë të kenë pak më shumë kohë në dispozicion, e në të njëjtën kohë të jenë të informuar më mirë mbi implikimet që dalin nga zbatimi i kësaj rregulloreje”, ka theksuar Bislimi.

Sipas tij kërkesa parësore e partnerëve është sigurimi i një tranzicioni të lehtësuar dhe siguria tek qytetarët serbë se implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton pasoja eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër.

Zëvendëskryeministri ka bërë të ditur se menaxhmenti i BQK-së ka dhënë opsione se si mund të rregullohet kjo çështje pa shkaktuar vështirësi dhe paqartësi eventuale tek qytetarët e komunitetit serb që kanë operuar me monedhën dinar deri më tani.

Ai ka thënë se nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

“Qeveria e Kosovës është e vendosur që zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis. Po ashtu jemi të përkushtuar që periudhat eventuale transitore të sigurojmë që qytetarët të adaptohen sa më shpejtë e lehtë, e pa dëmtime. Mekanizmat e qeverisë që kanë për obligim zbatimin në praktikë të kësaj rregulloreje do të fokusohen në plotni që në këtë fazë transitore të investojnë më shumë në informim të bizneseve dhe qytetarëve, e jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme”, ka nënvizuar ai.

Bislimi ka thënë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është përkujdesur që Agjencioni për regjistrimin e bizneseve të fillojë operimin edhe në katër komunat veriore në mënyrë që bizneset të mund të regjistrohen e të fiskalizohen. Po ashtu, sipas tij edhe bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar të hapin degë të reja në katër komunat veriore.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë 40 mijë llogari bankare në dispozicion të serbëve që mund të pranojnë pagesa edhe në transfere ndërkombëtare. “Përdorimi i valutës së huaj për pagesa – në një shtet ku valuta është euro, është tepër e përshtatshme që pagesa të kryhet me euro”, ka thënë ai.

Ai tutje ka theksuar se ekzekutivi do të organizojë fushata në mënyrë që bizneset të fiskalizohen edhe në veri.


MË SHUME NGA Lajme