Rama: Inovacioni prioritet kombëtar
BKT
Shqipëri

Rama: Inovacioni prioritet kombëtar

ATSH

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u bëri thirrje përfaqësuesve të sistemit bankar dhe të industrisë së re “Fintech”, që të bashkëpunojnë dhe brenda këtij viti të sjellin inovacion dhe ndryshim real në transaksionet financiare në vend.

Gjatë fjalës së tij, nga “Shtëpia e Biznesit”, ku zhvilloi një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech, mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare, Rama theksoi se Banka e Shqipërisë duhet të ketë patjetër një mekanizëm supervizimi dhe të inovacionit, edhe të ecurive të punës me inovacionin

“Operatori kryesor i “Fintech” këtu në këtë sektor operon me bankat jashtë. Pse? Sepse nuk ka mundësi të ketë të njëjtin akses këtu brenda. Po kemi ne luksin t’i trajtojmë këto forca të reja që burojnë nga talenti, që burojnë nga vizioni, që burojnë nga mendësia e re, sikur janë jetimë në atdheun e tyre, përballë kështjellave të bankave që i kanë dyert si ato nëpër filma ku nuk ka Perëndi që hap derën për të futur një inovacion? Bankat nuk janë këtu kështjella të krijuara nga asgjëja. Pjesa dërrmuese e bankave janë pjesë e ekselencës bankare europiane.

Pra, këtu nuk flasim për struktura që nuk kanë dije të brendshme, këtu nuk flasim për struktura që duhet t’i mësojnë gjërat nga e para. Këtu flasim për struktura që në vende të tjera dhe në vendin nga i kanë rrënjët bëjnë çudira, në aspektin e këtyre gjërave që po flas, në aspektin e diversifikimit të instrumenteve të sistemit financiar, në aspektin e inovacionit bëjnë çudira. Tani pse në Shqipëri nuk ndodhka kjo gjë?”, tha Rama

“Shpresoj që bankat ta kuptojnë këtë, që kjo është një çështje e një prioriteti kombëtar të qeverisë, të një prioriteti strategjik të Shqipërisë dhe ne duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, duam të shikojmë ndryshim të thellë, duam të shikojmë ndryshim real dhe duam të shikojmë, jo pas disa vitesh, por duam të shikojmë këtë vit pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja”, vijoi Kryeministri.

“Duam të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, duam të shikojmë rënie reale të cash-it në qarkullim, duam të shikojmë rritje reale të transparencës së parasë dhe rritje reale të të ardhurave për vendin dhe këtë gjë ne duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe. Në të gjitha rastet ne këtë gjë do ta bëjmë, do ta bëjmë se s’bën sepse nuk mundet dot ta pranojmë inercinë e kësaj situate të tmerrshme”, tha Rama.

“Prandaj, ju lutem të gjitha bankat dhe në radhë të parë i kërkoj Bankës së Shqipërisë që ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë se dhe Banka e Shqipërisë duhet patjetër të bëjë pjesën e vet. Duhet ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë dhe të gjitha justifikimet, të gjitha arsyetimet, të gjitha ato alibitë që vijnë nga prishja e zonës së komfortit dhe që vijnë nga prishja e një statusquo të krijuar me vite e me vite, ne nuk do t’i pranojmë. Çdo gjë që e bën një vend tjetër, s’ka pse nuk e bën Shqipëria. Madje Shqipëria duhet të jetë e gatshme të bëjë edhe gjëra që vendet e tjera akoma nuk i kanë bërë”, nënvizoi Rama.

“Banka e Shqipërisë duhet të ketë patjetër një mekanizëm supervizimi dhe të inovacionit, edhe të ecurive të punës me inovacionin”, përfundoi Rama.


MË SHUME NGA Shqipëri