AGK e KMSHK kërkojnë ndryshime për projektligjin e medieve online
M.P. / RTKlive
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës së bashku me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës kanë kërkuar tërheqjen e Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nga Qeveria. Specifikisht ata kanë kundërshtuar propozimin ligjor për rregullim të medieve online nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror.
Kjo formë e menaxhimit do të detyronte mediat t’i nënshtrohen procedurave të licencimit shtetëror, ndërkaq këto dy institucione bashkë me juristen e medias, Flutura Kusari, kanë propozuar disa ndryshme.
“Ne konsiderojmë se iniciativa ligjore e Zyrës së Kryeministrit për të kontrolluar mediat online nëpërmjet licensimit është sulmi i radhës ndaj të drejtës së lirisë së medias dhe pluralizmit”, thuhet në komunikatën e tyre.
Sipas tyre, ndryshimet ligjore, të bëra në fomën siç janë tani, nuk do të rezultojnë në përmirësimin e mediave, por në kontroll politik mbi mediat online.
“Qeveria, përtej mediave, tentativën për kontroll e ka shtrirë edhe tek vetë institucioni i KPM-së. Rritja e numrit të anëtarëve në 11 është e paarsyeshme dhe bazohet vetëm në dëshirën e partisë në pushtet që ky institucion të mbushet më mbështetës të saj. Kjo konfirmohet edhe me propozimin që secili anëtar të ketë mundësinë që të garojë për dy mandate, ashtu që ata që emërohen gjatë kësaj legjislature në Kuvend dhe vazhdojnë ta gëzojnë mbështetjen e partive në pushtet edhe në një tjetër legjislaturë, pra, mund të jenë pjesë e KPM-së për tetë vjet gjithsej”, vazhdon komunikata.























