Aksioni ndaj strukturave paralele në Pejë, hapen disa raste penale
E. Hoti / RTKlive
(E plotësuar, 14:55) Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në disa fshatra të rajonit të Pejës, ku dyshohej se kishin kryer veprimtarinë e tyre strukturat ilegale të Serbisë.
Aktualisht disa persona të dyshuar janë duke u intervistuar në stacionet policore dhe janë sekuestruar disa dokumente.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të dyshimta, derisa janë hequr edhe flamuj të shtetit fqinj, që kanë qenë të vendosura në këto objekte.
“Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë një aksion në disa fshatra, të cilët janë në kompetencë territoriale të Prokurorisë Themelore në Pejë, nën dyshimin se janë duke u zhvilluar veprimtari ilegale, në kundërshtim me ligjin dhe se ka pasur struktura ilegale. Njëkohësisht, janë disa persona të shoqëruar në stacionet policore, të intervistuar si persona të dyshimtë nga hetuesit policorë dhe me autorizimin e Prokurorit të Shtetit janë hapur raste penale ndaj tyre”, ka theksuar Nikçi për RTKlive .
Ai ka bërë të ditur se për detaje të tjera lidhur me këtë aksion opinioni do të informohet me kohë.
Policia me aksion kundër veprimtarisë së strukturave ilegale në Pejë | Video
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ka filluar një aksion në tri lokacione në Komunën e Pejës.
Sipas informacioneve nga policia njëri nga objektet e bastisura është ai i të ashtuquajturit Autoritet i Përkohshëm i Komunës së Pejës, që ndodhet në fshatin Gorazhdec të Pejës.
Megjithatë nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës thanë se nuk mund të japin më shumë detaje pasi që aksioni është ende duke vazhduar.
Ndërkaq lajmi është konfirmuar për RTKlive edhe nga Shkodran Nikqi, zëdhënës në Prokurorinë e Pejës.
“Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës aktualisht janë duke e zhvilluar një aksion në disa lokacione në kompetencën territoriale të Prokurorisë Themelore në Pejë. Gjatë këtij momenti që jemi duke biseduar aksioni është në zhvillim e sipër dhe pas përfundimit të aksionit do të njoftoheni lidhur me detajet e këtij aksioni”, ka thënë ai për RTKlive.























