Vuçiq është takuar me Radoiçiqin, para sulmit terrorist në Banjskë
Sh.Ç /RTKlive
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e ka pranuar se para sulmit terrorist në Banjskë, që është takuar tri netë rresht me Millan Radoiçiqin, njeriun kryesor që e ka pranuar se e ka organizuar sulmin e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë.
Presidenti serb në një intervistë për një medium serb, ka thënë se në takimi ishte edhe Sllavko Simiq dhe disa të tjerë.
“Unë tri net kam pas takim me ata, aty ishin Radoiçiq e Simiq edhe nja dhjetë burra tjerë. Më thanë në fytyrë se nuk ju besojnë as amerikanëve as evropianëve, ndërsa unë ju thashë se më duhet të ju besoj se nuk kam kujt tjetër sepse nuk kam askënd në terren. Ata (amerikanët e evropianët) garantuan se shqiptarët nuk do arrestojnë askënd nga barrikadat. Pas tre muajve nisën arrestimet, mund të kuptoni telashet”, ka thënë Vuçiq, duke bërë të ditur se përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë, do të ndiqen penalisht.
Vuçiq, ka reaguar sërish për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë pas vendimit të Bankës Qendrore, sipas së cilit euroja do të jetë e vetmja valutë për kryerjen e pagesave. Sipas tij, se duhet të thirret seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por se nuk është optimist se seanca do të mbahet.
“Duhet të thërrasim një seancë të Këshillit të Sigurimit, nëse do të na lejojnë apo jo, nuk e besoj. Kërkesa është dorëzuar dhe në ditët në vijim duhet ta marrim përgjigjen. Janë 15 vende në Këshill, nëntë e kanë njohur Kosovën, gjashtë jo. Do të shohim”, ka theksuar ai.























