Pas qëndrimeve të aleatëve në KS të OKB-së, PDK kritikon Qeverinë
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar) Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj, kanë reaguar pas seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të kërkuar nga Serbia pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.
Hoxhaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për politikë të gabuar. Sipas tij, Qeveria Kurti ka bërë që fuqitë perëndimore të pajtohen më Rusinë e Kinën, gjet ë cilën sipas tij nuk e bëjnë për asnjë temë.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim.
Ndërsa, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur “mjerim dhe marrëzi” seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Çitaku e ka marrë për bazë fjalimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në seancën për çështjen e dinarit, të ftuar nga Serbia.
“Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mbështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e Ambasadores së SHBA-ve. Dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë. Sa më pak që të flitet në KSOKB për ne, aq më mirë”, ka shkruar ajo.
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, ka theksuar se SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme.
"Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë ajo.
Thomas-Greenfield, ka kërkuar nga Serbia që sulmi si ai i 24 shtatorit të mos ndodh më. Ajo tha se SHBA janë të përkushtuar për paqen në Ballkanin Perëndimor. Sipas saj dialogu është i mbështetur nga BE-ja dhe jo nga Këshilli i Sigurimit. Greenfield, në këtë mbledhje ka kërkuar edhe njëherë që të ketë koordinim të institucioneve të Kosovës dhe të ketë shtyrje të implementimit të rregullores së BQK-së dhe tranzicioni të bëhet.























