KPM të mërkurën sërish para Komisionit Parlamentar
BKT
Lajme

KPM të mërkurën sërish para Komisionit Parlamentar

M.Miftari/RTKlive

(E plotësuar, 16:00) Ka pëfunduar mbledhja në të cilën është bërë raportimi i Komisionit të Pavarur për Media para Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, pas shumë kritikash e përplasje idesh lidhur me lejimin e transmetimit të kanaleve “Arena Sport” të Telekomit të Serbisë në rrjetet kabllore në Kosovë.

Deputetët, Njazi Isaku, Dimal Basha dhe disa deputetë nga radhët e LVV-së kanë kërkuar shkarkimin e këtij Komisioni, derisa deputetët opozitarë kërkuan që KPM të ofrojë materiale shtesë nga mbledhja në të cilën ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit të mëparshëm për pezullim të “Arena Sport”. Në fund u vendos që mbledhja e radhës të mbahet të mërkurën në orën 11:00.

Mehmeti: “ArenaSport” ka garantuar se s’do të shfaqë më mesazhe politike

Komisioni i Pavarur për Media në përbërje prej pesë anëtarësh ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Media. Kryetari  i KPM-së, Jeton Mehmeti, përmendi objektivat që duhen realizuar. Ai ka sqaruar vendimin për ndalimin e "ArenaSport", që sipas tij, ishte në kundërshtim me rregulloret e KPM-së.

“Objektivat tona për këtë vit janë 5 më kryesoret e që janë: mbrojtja e qytetarit nga përmbajtja e dëmshme mediale; mbrojtja e vetë të licencuarve nga njëri-tjetri, në kuptimin e formimit të një tregu të shëndoshë medial; rritja e transparencës së pronësisë së medieve, se kush qëndron prapa tyre edhe në aspektin financiar; frekuencat e Kosovës të jenë sa më mirë të  mbikëqyrura dhe rritja e integritetit tonë institucional”, ka theksuar Mehmeti para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Media.

Më tej, kryetari i KPM-së ka bërë të ditur vendimin për shfuqizimin e një vendimi që ndalonte transmetimin e kanalit sportiv “ArenaSport”. Sipas tij, vendimi është bazuar në faktin se kanë pushuar rrethanat për të cilat kanë qenë determinuese në marrjen e një vendimi për ndalimin e transmetimit.

“Kemi ndalur tri kanalet e “Arena Sport”, sepse kanë bartur mesazhe që ishin në kundërshti me rregulloret e KPM-së”, deklaroi Mehmeti, derisa shtoi se ky vendim për ndalimin është anuluar në momentin kur kanë pushuar rrethanat që kanë përcaktuar në marrjen e një vendimi të tillë, si dhe me reagimin e qytetarëve që të lëshohen kanalet sportive, sepse po ndihet mungesa e programit sportiv.

“Më 6 shkurt kemi pasur mbledhje të Komisionit me shumë pika dhe janë marrë shumë vendime. Më 7 shkurt na ka ardhur një ftesë që thotë se ftohen anëtarët të marrin pjesë në dëgjimin para komisionit dhe sot jemi para jush. Sa i përket shfuqizimit të vendimi tonë për pezullim të kanaleve të Arena Sport, përgjigja është se jemi bazuar në faktin se kanë pushuar rrethanat të cilat na kanë determinuar marrjen e një vendimi të tillë. E dyta, kemi marrë garancion nga operatorët dhe kanalet e Arena Sport se përmbajtjet e tilla nuk do të përsëriten më kurrë. Dhe e treta, kemi pasur parasysh interesin e përdoruesve për të pasur qasje në ngjarje sportive që i ofrojnë këto kanale”, ka thënë Mehmeti.

Më tej, Mehmeti vuri në dukje komunikimet e tij me përfaqësuesit e ‘Premier Ligës’ lidhur me lejimin transmetimit të ‘ArenaSport’ edhe në Kosovë, në gjuhën serbe, ku sipas tij, përgjigja e tyre ishte se kjo ka ndodhur për shkak të gjuhës që flitet në rajon.

Ndaj fjalës së kryetarit të KPM-së, Jeton Mehmeti, pati deputeti i LVV-së Njazi Isaku, i cili tha se është e pabesueshme që ka qytetar që kërkon kthimin e kanaleve sportive në gjuhën serbe. 

Deputeti Isaku kërkoi shkarkimin e KPM-së për shka, siç tha ai, vendimit për rikthimin e kanaleve "Arena Sport" në Artmotion, si dhe operatorët tjerë.

Ndërkaq deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, diskursin për shkarkim të Bordit të KPM-së nga mazhoranca e konsideron si presion  politik ndaj këtij institucioni të pavarur .


MË SHUME NGA Lajme