Pesë të lënduar nga zjarri në përdhesen e një ndërtese në Ferizaj
Driton Ramadani / RTK
Dhjetë persona janë trajtuar në emergjencën e Ferizajt, si pasojë e asfiksimit nga tymi i shkaktuar nga një zjarr që kaploi katin përdhesë të një ndërtese në Ferizaj. Pesë prej tyre janë dërguar për trajtim në QKUK.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 minuta në rrugën "Dëshmorët e Kombit" në ndërtesën përballë shkollës fillore "Jeronim de Rada" në Ferizaj.
Falë intervenimit të shpjetë të zjarrfikëseve dhe policisë është arritur që të evakuohen banorët të cilët ishin në ndërtesë dhe që të shuhet zjarri.
“Për pasojë e këtij incidenti të zjarrit, ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente kanë kërkuar 10 persona, ndërsa prej tyre 5 persona për tretman të mëtutjeshëm janë transportuar në QKUK –Prishtinë”, ka thënë për RTK-në Kanun Veseli, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt .
Zjarri dyshohet se ka filluar tek njehsorët elektrikë të kësaj ndërtese, ndërsa janë njoftuar edhe ekipe të KEDS të cilët kanë dalë gjithashtu në vendin e ngjarjes.
“Njësia e Hetimeve në koordinim me prokurorin kujdestar ka filluar hetimet se si ka ardhur deri te ky incident dhe për informata shtesë ju njoftojë më pas", ka thënë zëdhënësi Veseli.

























