55 pacientë në Prishtinë marrin shërbime mjekësore shtëpiake brenda ditës
M.P. / RTKlive
Shërbimet mjekësore shtëpiake në Prishtinë arrijnë që brenda ditës të mbulojnë 50 deri 55 pacientë. Pavarësisht që si numër duket i mjaftueshëm, sipas stafit mjekësor kërkesa është më e lartë sesa mundësitë.
“Maksimumi i pacientëve që mund të marrin shërbimet tona brenda ditës janë 50 deri 55. Kërkesa ka më shumë, mirëpo gjithmonë duhet të shikohet prioriteti i pacientëve të cilët kanë nevojë të trajtohen”, ka thënë doktoresha e QMF-së, Sahadete Kelmendi në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Ajo ka treguar se kushtet e punës janë në përmirësim e sipër. Kelmendi ka përmendur se nga janari i vitit të kaluar janë furnizuar me vetura të reja. Ajo ka theksuar se materiali shpenzues është i mjaftueshëm për kujdesin parësor, mirëpo ka mungesë të stafit.
“Kemi mungesë të madhe të stafit të infermierëve sepse kujdestaritë gjatë të shtunave dhe dielave 12 orëshe mbulohen vetëm nga një infermiere në terren, që është shumë e ngarkuar. Momentalisht na duhen minimalisht edhe tre infermiere dhe një mjek”, ka thënë ajo.
Pacienët të cilët mund të marrin shërbimet mjekësore shtëpiake janë ata të cilët e kanë të pamundur të vizitojnë QMF-të, përkatësisht pacientët pas infarkteve të trurit, sëmundjeve kardiovaskulare, ato me diabet pas amputimeve dhe sëmundjeve kancerogjene.























