Abdixhiku: Nuk pres që Amerika të na bëjë qeveritë
BKT
Lajme

Abdixhiku: Nuk pres që Amerika të na bëjë qeveritë

B. H. | RTKlive

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar rreth raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

Teksa vlerësoi vizitën e sekretarit amerikan, Antony Blinken, në Shqipëri, potencoi se në të njëjtën kohë në Kosovë, “SHBA-të na flasin për raportet më të ulëta historike, për lëkundje partneriteti e krizë komunikimi”.

“Jam i lumtur për ecjen e Shqipërisë. Në ekonomi, kulturë, turizëm, sport e diplomaci. Po na ikin me hapa të mëdhenj. Po e bëjnë mençur, si vend i NATO-s dhe me partnerë! Por Kosova, shteti ynë është bërë peng i çmendurisë populliste. I duartrokisin përplasjes. E nxisin delirin. Mburren me gjithë terrin politik që na shoqëron tash e tre vjet. Nuk pres që Amerika të na bëjë qeveritë. Ata që kanë të tilla pritje - dhe sa kam kuptuar s’janë pak të tillë - nuk janë të destinuar për politikë. Kjo detyrë fisnike i takon vetëm popullit të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka thënë se ka besim të plotë se populli i Kosovës do të japë përgjigje këtë vit.

“Sepse, si vend, si shtet, si popull, kemi detyrim ta bëjmë Kosovën më mirë - ekonomikisht, politikisht dhe me miq! Paradoksalisht, po aq sa Shqipëria fillimisht”, ka shtuar kreu i LDK-së.


MË SHUME NGA Lajme