Ka vdekur në burg lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, ka vdekur.Ky lajm është raportuar nga disa media duke iu referuar shërbimit korrektues rus. Ai vdiq në moshën 47 vjeçare.
“Më datë 16.02.2020, në koloninë korrektuese nr.3, i dënuari A.A. Navalny u sëmur pas një shëtitje dhe pothuajse menjëherë humbi vetëdijen”, bëjnë të ditur mediet e huaja, transmeton RTKlive.
Sipas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur menjëherë ambulanca.
“Menjëherë në vendngjarje janë kryer të gjitha masat e nevojshme reanimuese, por nuk kanë rezultuar me rezultate pozitive. Mjekët e ndihmës së parë kanë deklaruar se pacienti ka vdekur duke shtuar se shkaku i vdekjes është duke u hetuar”, njofojnë mediet e huaja.
Kremlini komentoi se institucioni i burgut po kontrollon informacionin në lidhje me vdekjen e Navalny-t, duke shtuar se nuk kishte informacion për shkakun e vdekjes.
Lideri i njohur i opozitës ruse, Alexei Navalny, ishte dënuar me 19 vjet burg. Ai ka qenë i njohur si një nga kritikët kryesorë të presidentit rus Vladimir Putin.
Udhëheqësi i opozitës Alexei Navalny u kthye në Rusi në janar 2021 pasi u dënua disa herë nga gjyqësori pro-regjimit.
Navalny ishte burgosur që nga viti 2021. Ai ishte dënuar me 19 vjet burg dhe ka vuajtur dënimin me burg në koloninë penale IK-3 në Siberi.
Në vitin 2020, Navalny u sëmur rëndë gjatë një fluturimi nga Tomsk në Siberi. Pas kësaj, ai u trajtua për disa muaj në një spital në Gjermani, ku u konstatua se ishte helmuar nga agjenti nervor Novichok.
Më 17 janar 2021, ai ishte kthyer në Rusi dhe ishte arrestua pikërisht në aeroport.























