Vizita Ramës në Turqi, firmosen marrëveshjet në fushën e turizmit
RTSh
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Turqi, ku do të pritet nga presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).
Në fokus të takimit do të jenë edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve bashkëpunimi që nga turizmi, menaxhimi i zonave të mbrojtura, marrëveshjet ushtarake dhe bashkëpunimi mes dy radiotelevizioneve, asaj shqiptare dhe turke.
Në agjendën e zbardhur kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me presidentin Erdoan dhe më pas do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit nga ministritë përkatëse, që kontribuojnë në forcimin e raporteve të Shqipërisë me Turqinë. Në fund Rama dhe Erdoan do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Shqipëria është në mesin e vendeve që gëzojnë lidhje të mira me Turqinë, ndërsa në aspektin ekonomik, rreth 300 kompani turke kanë kryer investime që arrijnë deri në 3 miliardë dollarë sipas Ministrisë së Jashtme turke.























