Osmani: Kosova është vatër e ideve inovative
V.Th. / RTKlive
Sot u mbajt ceremonia e certifikimit të 200 të trajnuarve, në kuadër të projektit “ICT for Kosovo’s Growth”.
Në këtë ceremoni mori pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është dhe do të vazhdojë të mbetet vatër e ideve inovative.
“Inovacioni është pjesë e shpirtit ndërmarrës të rinisë kosovare. Kosova tashmë është shndërruar në qendër të zhvillimit të inovacionit përmes inkubatorëve të biznesit dhe nëpërmjet iniciativave të tjera të cilat po ndjekin format moderne të të berit biznes”, tha Osmani.
Tutje presidentja tha se këta të rinj janë pjesë e tregut kosovar dhe se po hapin shtigje të reja për punësimin e tyre në ndërtim të karrierës, por po ashtu për kontribut jo vetëm për ekonomitë e tyre familjare, por edhe për shtetin në përgjithësi.
Rinia jonë gjithnjë ka treguar se është e gatshme të kontribuojë edhe brenda por edhe me ide inovative të cilat tejkalojnë kufijtë e Kosovës, tha Osmani, duke shtuar se këta të rinj janë arkitektët e infrastrukturës tonë digjitale, garantues të sigurisë kibernetike dhe katalizator të inovacionit në funksion të fuqizimit të ekonomisë dhe zhvillimit të shtetit.
Kurse ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se ICT dhe sektori i teknologjisë është e ardhmja e Kosovës.
Ai shtoi se ky projekt do të mbështetet nga Bashkimi Evropian deri në vitin 2025.
“Përgëzoj të gjithë ata që janë certifikuar dhe që vazhdojnë ambiciet e tyre në këtë sektor”, tha Szunyog.
Ambasadori e përgëzoi presidenten Vjosa Osmani për pjesëmarrje në këtë ceremoni.























