Hapet në Tiranë ekspozita “Ukraina, një krim lufte“
ATSH
50 imazhe fotografike nga fronti i luftës, që përçojnë dramën dhe përpjekjet e popullit të Ukrainës për të mbrojtur atdheun e tyre dhe demokracinë u ekspozuan sot në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Tiranë.
I pranishëm në ceremoni, Kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi se kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, e cila është edhe një që do të kulmojë me një samit të vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën.
“Në këtë samit do të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Europës dhe ku presidenti Zelensky është bashkë me ne si bashkëorganizator së bashku me mua për këtë aktivitet, që në kontekstin e sotëm ka sipas meje një rëndësi të posaçme”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, Rama theksoi se agresioni i Rusisë mbi Ukrainën është si përpjekja për të imponuar të drejtën për të jetuar në të shkuarën dhe është një përplasje mes dy botësh, dy mënyrash krejtësisht të ndryshme për ta parë botën.
“Shpreh edhe sot solidaritetin tonë të patundshëm për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Këto imazhe vijnë nga një front ku luftohet, humbasin jetë njerëzish e shkatërrohen pasuri të patundshme të ngritura me mundim e ku jetohet ditë-natë nën represionin e sirenave që paralajmërojnë bombardimin e radhës”, u shpreh ai.
Libri “Ukraina, një krim lufte” është dokumentimi historik i vitit të parë të luftës ruso-ukrainase me histori reale të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të mizorive. Libri përfshin mbi 360 fotografi dhe 30 dëshmi nga 93 fotoreporterë prej 29 vendesh të ndryshme nga e gjithë bota. Imazhet dhe reportazhet sjellin për shikuesin momentet e konfliktit, katastrofën humanitare dhe hetimet e krimeve të luftës.

























