Konjufca takon ambasadorin e Katarit, flasin për avancimin e raporteve
E. Hoti / RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Katarit për Republikën e Kosovës, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari. Në këtë takim ambasadori i Katarit ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së vendit të tij për Kosovën.
Sipas njoftimit të Zyrës për informim të Kuvendit, Konjufca e ka uruar ambasadorin Al Dosari për detyrën dhe ka vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve tona.
Po ashtu kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për shtetin e Katarit, për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
"Duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, ambasadori Al Dosari ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së vendit të tij për Kosovën“, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Tutje në njoftim thuhet se kryetari Konjufca dhe ambasadori Al Dosari shprehën gatishmërinë për avancimin e raporteve miqësore dhe zgjerimin e mundësive të bashkëpunimimit në fusha të ndryshme ndërmjet Kosovës dhe Katarit.























