Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Rama: Rol kyç në operacionet e Aleancës
N. Mekolli /RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Baza Ajrore Taktike e NATO-s do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës.
Rama, në një postim në Facebook, ka shkruar se kjo është një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.
“Mirëmëngjesi dhe nga Baza Ajrore Taktike e NATO-s që hapet së shpejti në Kuçovë, e cila do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars, sipas planit të parashikuar. Në ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA.























