Zelensky: Rusia do të bëjë gjithçka për ta destabilizuar Ballkanin|Video
A.Sejda & A .Bela/RTK
(E plotësuar, ora 13:40) Pas përfundimit të Samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky kanë dal në konferencë të përbashkët për mediat.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shtetet e Ballkanit duhet të jenë bashkë, pasi Rusia do të bëjë gjithçka për ta destabilizuar rajonin. Zelensky ka thënë se mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian.
“Ky Samit sot ishte bashkim. Shtetet e Ballkanit duhet të jenë bashkë, sepse Rusia do të bëjë gjithçka për ta destabilizuar Ballkanin. Rusia nuk do të ndalet. Do të përdorë taktika tjera, do të tentojë ato në vende që mund të ketë sukses, sidomos në ato të vogla si Moldavi, vendet e Baltikut apo të Ballkanit”, ka deklaruar Zelensky.
Ai ka theksuar se të gjitha vonesat me furnizime, gjitha hezitimet e inspirojnë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Gjithashtu ka kërkuar mbështetje në formulën 10-pikëshe të tij për paqe.
“Lufta është nisur nga një person i vetëm, por puna për paqe është punë që duhet bërë gjithë bashkë. Gjithë ata që vlerësojnë rregullat, rendin botëror, duhet të na mbështesin”, ka thkesuar Zelensky.
Edhe kryeministri Rama ka deklaruar se ka një rrezik të qartë dhe real për destabilizim në rajonin e Ballkanit, i cili ka historitë e tij të luftërave. Për të shmangur këtë tha Rama, Ballkani po punon drejt forcimit të institucioneve që konfliktet të zgjidhen me bisedime paqësore.
“Në Ballkan ne nuk jemi një rajon pa probleme, jetojmë në një terren ku është derdhur shumë gjak. Në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për atë çka është interes i përbashkët dhe pastaj të diskutojmë paqësisht për atë që nuk biem dakord. Duhet të forcojmë institucionet, ekonominë dhe demokracinë tonë dhe sa më shumë fuqi të marrim në këtë drejtim aq më pak do të jemi të rrezikuar për atë që është ende e pazgjidhur. Edhe një herë po ka në rrezik të qartë real për Ballkanin Perëndimor, pro askush nuk duhet ta shoh se ushtria ruse vjen këtu, por ajo që ndodh në Ukrainë mund të përsëritet në mënyra të ndryshme duke vënë në pikëpyetje themelet e rendit tonë botëror”, ka theksuar Rama.
Nërsa, presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky, ka falënderuar për bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj vendit të tij.
“Falënderoj popullin tuaj dhe gjithë shqiptarët për mbështetjen e sinqertë që keni dhënë për Ukrainën. U falënderojmë për mbështetjen e të gjithë paketave të ndihmës për ne. Jemi falënderues për kolegët që punojnë bashkë për rritjen ekonomike. Duhet të bëjmë gjithçka për vijimin e furnizimit me armatime. Duhet të keni besim tek ne dhe stabilitet që do t’i sjellim BE. Mbështesim integrimin ne vendeve të BE. Faleminderit për bashkëpunimin dhe vullnetin e qartë. Ukraina dhe gjithë rajoni i Evropës juglindore duhet të vijojë bashkëpunimin. Lufta është filluar nga një person i vetëm, por përfundimi i saj duhet të jetë një punë e të gjithëve ne”, është shprehur ai.
Rama: Do të bëhet gjithçka për të ndihmuar Ukrainë
Kryeministri Rama ka theksuar se është një moment i veçantë për Shqipërinë, se mirëpret një udhëheqës të rezistencës.
“Jemi mbledhur kundër forcës neoimperialiste që kërkojnë të ndërtojnë. Jam i nderuar që patëm mundësi që të mbajmë qëndrimin tonë, jo vetëm si Shqipëri, por si bashkësi vendesh dhe kombesh që ndajnë të njëjtin qëndrim, që qëndrojnë pro Ukrainës”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama ka deklaruar se do të bëhet gjithçka për të ndihmuar Ukrainën me gjithçka që ka nevojë.
Ai ka theksuar se është shqetësues që ndihma ndonjëherë ngec sepse Ukraina kthehet në një çështje të politikës së brendshme të vendeve, apo për shkaqe burokratike.
“E mbështesim Ukrainën në mënyrë të palëkundur. Do ta mbështesim për sa kohë do të jetë e nevojshme dhe sa të ndodhë një paqe që zgjat. Shqipëria është një anëtare krenare, edhe pse e vogël e NATO-s. Bashkë me aleatët e NATO-s dhe partnerët tanë, kemi dënuar agresionin dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet. Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona. Jemi të ndërgjegjshëm se ajo që ka nevojë Ukraina, është mbështetja e të gjithëve, ndihma dhe mbështetja e më të mëdhenjve dhe më të pasurve në bashkësinë tonë demokratike. E shohim me shqetësim që kjo mbështetje ndonjëherë ngecet, se Ukraina shndërrohet në çështje e politikës së brendshme të një vendi. Ose se ndodhin vonesa burokratike. Nëse demokracitë kanë procedurat e tyre, demokracitë janë më të vështira dhe komplekse për të punuar dhe sjellë rezultate, nga ana tjetër kemi një agresor që nuk ndalet për asnjë sekondë së godituri për të pasur më shumë territor, për të marrë jetët e pafajshme”, ka deklaruar Rama.
Përfundon Samiti për Ukrainën në Tiranë

(E plotësuar, ora 13:20) Ka përfunduar Samiti për Ukrainën në Tiranë. Pas daljes nga salla e Pallatit të Kongreseve, liderët pjesëmarrës kanë bërë një foto familjare.
I pari që ka folur në samit ka qenë kryeministri Rama, i cili ka deklaruar se lufta nisi nga një ëndërr e vjetër perandorake, ku presidenti rus Putin synonte fshirjen e Ukrainës nga harta.
E presidenti i Ukrainës, Zelensky ka propozuar krijimin e një forumi të posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes vendit të tij dhe Ballkanit.
Zelenski propozon forum për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës e Ballkanit
(E plotësuar, ora 12:10) Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka propozuar organizmimin e një forumi të posaçëm për industrinë e Mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit.
Në fjalën e tij në Samitin “Ukraina-Europa juglindore”, Zelenski shprehu interesin për bashkëprodhim të municioneve me vendet e Ballkanit dhe aleatëve, ndërsa theksoi se vetëm të bashkuar Ukraina do të fitonte luftën e saj me Rusinë.
“Kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes dhe secila prej tyre shton fuqinë tonë, por nuk mjafton për fitoren tonë ndaj Putin. Jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe partnerët tanë. Propozojmë të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës e Ballkanit në Kiev ose në ndonjë prej kryeqyteteve tuaja”, tha Zelenski.
Presidenti ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ai u shpreh se presidenti rus Vladimir Putin është mbrojtës i tezës “përça e sundo”, prandaj u bëri thirrje liderëve të vendeve pjesëmarrëse të Samitit e ndërkombëtarëve gjithashtu, që të vijojnë mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Tani, Putin dëshiron të bëjë këtë gjë, armiqësia e tij dhe gjithçka dëshiron të bëjë duke detyruar kombet e tjera të bëjë si do ai, një përpjekje se si diktatet e vjetra duan të bëjnë kombet. E rëndësishme që regjimi i Putin të humbasë. Vizioni ynë për Evropën bazohet te parimi i dinjitetit të njëjtë. Nuk duhet të ketë Europë me dinjitete të ndryshme në të. Ne besojmë se respekti për çdo komb dhe e drejta e barabartë e kombeve për të patur siguri, duhet të jenë parime universal”, tha lideri ukrainas.
Rama: Humbja e Ukrainës do rrezikonte BE-në
Kryeministri Edi Rama ka theksuar vendosmërinë e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj të drejtë për liri dhe mbrojtën e vlerave demokratike dhe u ka bërë thirrje të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj thirrje dhe të qëndrojnë krah Ukrainës.
Në Samitin për Ukrainën që po zhvillohet në Tiranë, Rama tha gjatë fjalës hapëse se Ballkani nuk duhet të kthehet në “ushqim për orekset imperialiste të Rusisë” , por duhet të dalë në krahë të Ukrainës.
Teksa theksoi se vendet e vogla si Shqipëria nuk kanë mundësi financiare dhe ushtarake të mbështesin Ukrainën në mënyrën që duhet për të përballuar këtë agresion, Rama u bëri thirrje vendeve të fuqishme që ta mbështesin atë dhe ndihmat të mos mbeten peng i politikave të brendshme të vendeve.
Sipas kryeministrit Rama mbështetja e Ukrainës do të thotë ruajtje e rendit botëror dhe të drejtës për liri dhe pavarësi dhe se nëse Ukraina do të humbiste do të rriskohej edhe vetë ekzistenca e BE-së.

Kryeministri theksoi se këtë luftë nuk e zgjodhi as Ukraina, as bota demokratike.
“Kjo është një luftë që as Ukraina dhe as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vendimit vetëm e një njeriu i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”, tha Rama.
“Prania juaj këtu është një kujtesë që ai (Vladimir Putin) nuk ia ka dalë dhe pavarësisht fuqisë së saj ushtarake e propagandës toksike, Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit ukrainas të jetojë në një atdhe të pavarur e demokratik”, tha Rama.
Rama: Samiti dëshmon vlerat që na bashkojnë në mbështetjen e Ukrainës|Video
(E plotësuar, ora 11:58) Kryeministri Edi Rama në Samitin Ukrainë - Evropa Juglindore, tha se Ukraina nuk po lufton vetëm për veten.
Rama: Samiti dëshmon vlerat që na bashkojnë në mbështetjen e Ukrainës|Video
(E plotësuar, ora 11: 02) Në Tiranë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke u pritur liderët për pjesëmarrjen në Samitin Ukrainë - Evropa Juglindore.
“Mbërritja e liderëve për pjesëmarrjen në Samitin Ukrainë - Evropa Juglindore, për të dëshmuar edhe njëherë vlerat që na bashkojnë në mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Ukrainës dhe njerëzve të saj”, ka shkruar Rama në Facebook.
Rama dhe Zelenski firmosin traktaktin e miqësisë dhe bashkëpunimit
(E plotësuar, ora 10: 30) Kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë firmosur Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.
Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.
Në nisje të ceremonisë së nënshkrimit, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen.
Rama takoi presidentin ukrainas Zelenskyy
Kryeministri Edi Rama mirëpriti sot Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në vizitën e tij të parë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”.
Samiti nis sot punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e liderëve nga Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive të vendeve kundër agresionit rus, ku do të diskutojnë, se si mund të punojnë së bashku dhe të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës.
Kryeministri Rama dhe Presidenti Zelenskyy nisën një takim kokë më kokë, në zyrën e Kryeministrit Rama, që vijon me takimin mes dy delegacioneve të Shqipërisë dhe Ukrainës.
























