Rama: Integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal |VIDEO
BKT
Foto: Arlinda Sejda/RTK
Shqipëri

Rama: Integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal |VIDEO

Sh.Çoça, A.Sejda & A.Bela /RTKlive

(E plotësuar, ora 12:40) Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi më shumë përkrahja nga Bashkimi Evropian për të përkrahur shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se përmes këtij Plani, procesi i integrimit në BE do të jetë i prekshëm edhe për qytetarët. Përmes këtij Plani, Rama ka theksuar se do të ketë më shumë financim nga BE për projekte dhe për buxhetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 “Plani i ri i Rritjes, është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen në BE dhe është një instrument që do bëjë procesin të prekshëm për njerëzit. Solla shembullin e kostos së transaksioneve financiare. Ne në Shqipëri dhe rajon kemi shumë qytetarë që jetojnë jashtë duke punuar atje ndihmojnë familjen. Për çdo para që dërgojnë kostoja e transaksionit është 6 herë më e lartë se ajo mes shteteve anëtare të BE. Plani i ri i Rritjes do na ndihmojë ta çojmë koston në nivel me atë të vendeve anëtare, pra do kursejmë gjysmë miliardi euro”, ka theksuar ai.

Sipas tij, plani ri i rritjes sjell më shumë fonde për projektet dhe buxhetet.

“Përpjekjet që kemi bërë në 10 vite për të ecur drejt integrimit, përmes planit të ri të Rritjes, tanimë duhet të ndodhin pa “por” apo arsye politike për të mos bërë marrëveshje. Dua të përfitoj tu them se kur flisnim sa e rëndësishme ishte të ecej shpejt përmes rrugëtimit rajonal dhe për të qenë më pranë me marrëveshje ndërkufitare, është e qartë që po të kishim bërë më shumë më parë do ishim më afër”, ka theksuar Rama.

Komisioneri Varhelyi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ka thënë se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin 6 miliadë euro ndihmë. Ai ka theksuar se deri në 2027 rajoni do marrë të njëjtin intensitet ndihme

“Shumica e reformave kanë koston e tyre financiare, por jemi të gatshëm të zbusim koston ndaj udhëheqësit e KE kanë vendosur, 6 miliardë euro duhet të ndihmojnë rajonin. Kjo është sasia e fondeve që i jepen vendeve anëtare. Deri në 2027 rajoni do marrë të njëjtin intensitet ndihme. Pas 2027 do ishte e vështirë që rajoni të thoshte nuk jemi gati akoma. Në 10 vite rajoni duhet të dyfishojë ekonominë”, ka deklaruar ai.

Varhelyi  ka deklaruar se Plani i Ri i Rritjes ka qenë i konceptuar pikërisht në Tiranë, teksa shtoi se do të shërbejë si një mekanizëm për të treguar përfitimet ekonomike të një vendi përpara se të bëhet shtet anëtar i BE-së. Sipas përllogaritjeve të BE-së, Varhelyi ka theksuar se pritet që rajoni të dyfishojë ekonominë e tij në 10 vitet e ardhshme.

(E plotësuar, ora 12:20) Në Tiranë  po zhvillohen punimet e samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Kumbaro-Mogherini nënshkruajnë memorandum

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini firmosën sot një memorandum mirëkuptimi për promovimin e kulturës, trashëgimisë, pasurive natyrore të Shqipërisë përmes angazhimit të studentëve të Kolegjit të Evropës me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit.

Sipas këtij memorandumi, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, do të hartojë itineraret turistike dhe do të sigurojë udhërrëfimin turistik përmes udhërrëfyesve të certifikuar nga kjo ministri.

“Jam shumë e kënaqur që sot mirëpres në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, një mikeshë të Shqipërisë, një diplomate të klasit më të lartë që është edhe rektorja e Kolegjit të Evropës këtu në Tiranë. Jam e lumtur që ky kolegj nuk do të mirëpresë vetëm studentë shqiptarë, por studentë nga gjithë Europa dhe bashkë me Federikën kemi vendosur që këtyre studentëve t’u japim jo vetëm dijen për të cilën kolegji i Evropës është gjithë mjeshtëria që mund të imagjinohet në fushën e diplomacisë dhe të shkencave politike, por t’u japim edhe një shije të mirë të Shqipërisë sepse njëra nuk shkon pa tjetrën. Ne do të bëjmë më të mirën që t’u japim atyre mundësinë ta vizitojnë Shqipërinë, ta shijojnë Shqipërinë edhe pse jo, të bëhen ambasadorë të ardhshëm të Shqipërisë turistike, të Shqipërisë së kulturës, të Shqipërisë europiane. Kështu sot firmosëm një marrëveshje pikërisht që të formojmë së bashku jo vetëm liderë të së ardhmes, por edhe ambasadorë të cilët do ta prezantojnë Shqipërinë me shijen e tyre personale”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë nënshkrimit të memorandumit.

Kolegji i Europës është duke hapur kampusin e tij në Tiranë për të nisur vitin akademik në shtator, me 31 studentët e parë nga gjithë Europa. Integrimi është një pjesë integrale e këtij programi, i cili do të jetë një realitet gjithëpërfshirës në Shqipëri dhe përfshin gjithashtu pasuritë historike, kulturore dhe natyrore të vendit.

“Është nder dhe kënaqësi për mua të jem këtu në Tiranë, por veçanërisht që po firmos këtë memorandum mirëkuptimi, i cili është një mundësi shumë e mirë, shumë e rëndësishme dhe interesante për studentët tanë dhe komunitetin e Kolegjit. Unë jam shumë krenare që falë këtij bashkëpunimi që nënshkruam sot, do t’u ofrojmë studentëve tanë mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore, historinë dhe gjithçka që Shqipëria ofron. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm procesin e të mësuarit të studentëve sepse një pjesë integrale e dijeve ka të bëjë me të kuptuarit e historisë dhe kulturës lokale dhe rajonale. Duke qenë se do të kemi studentë nga gjithë Evropa, kjo do të jetë një mundësi e mirë që ata të kthehen në ambasadorë të Shqipërisë për vendet nga vijnë por edhe kudo në botë dhe jam e sigurt që ata jo vetëm do të mësojnë shumë, por do t’i shijojnë shumë pasuritë e mrekullueshme të këtij vendi që përmenda. Jam shumë mirënjohëse dhe dëshiroj që përveçse t’u ofrohet studentëve dhe profesorëve tanë, të eksploroj edhe vetë më shumë bukuritë e këtij vendi”, u shpreh Mogherini.

“Ju do të jeni pjesë e kësaj përvoje të re. “Albania, All u need is here” ishte slogani vitin që shkoi, kurse slogani i këtij viti do të jetë “Albania All Senses”, kështu që duhet ta shijoni dhe jetoni”, u shpreh ministrja Kumbaro në mbyllje të fjalës së saj.

Në këtë samit po merr pjesë dhe ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini. Mogherini, do të jetë pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes.

No description available.

Rama kërkon bashkëpunim duke e lënë pas çdo konflikt|Video

(E plotësuar, ora 10:00) Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka hapur punimet e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Rama ka folur për rrugë dhe frymë të reja bashkëpunimi mes shteteve të rajonit, ndërsa bëri thirrje për të lënë pas çdo konflikt.

 

Rama u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të lënë pas çështjet komplekse mes tyre dhe të fokusohen te puna për transformimin e rajonit. Rama është shprehur se çështjet dypalëshe duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut, duke iu referuar tensioneve mes Kosovës e Serbisë.

“Është e qartë që mundësia e re që përfaqëson plani jashtë kornizës, na sfidon në gatishmërinë për fatin e përbashkët evropian. Mundësitë mund të merren apo humben. Duhet të angazhohemi pa kufizime. Unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria disa vende në rajon janë në situatë komplekse për njëri-tjetrin. Disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse mes tyre, por ti lëmë pas këto për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi para me synim për transformimin e rajonit. Çështjet dypalëshe mbeten, por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh e jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh. 10 vite me parë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u takuan në zyrën e Kancelarit në Berlin për të kapur të ardhme. Bashkëpunimi është një kriter për të vlerësuar pjekurinë tonë përmes planit të ri të rritjes”, ka theksuar Rama.

Rama ka deklaruar se mes vendeve të rajonit duhet të vendoset gjithmonë paqja, pasi në të kundërtën rrezikojnë BE.

“Në planin e rritjes në fuqi, domosdoshmëria është e qartë, ose do të marrin masat e nevojshme që të ecim përkrah njëri tjetrit ose të dështojmë. T’u japim qytetarëve tanë rrugën drejt BE. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen ekonomike të njëra-tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose kjo mungesë do na bëjë që të humbasim paqen. Më vete jemi të gjithë të vegjël. Së bashku mbartim rëndësi. Si mund të bëhemi më të lirë dhe më të mëdhenj nëse kamionët tanë duhet të presin ende 26 orë në ditë. Si mund të heqim këto barriera? A mos jemi dembelë? Të çmendur? Budallenj, apo çfarë jemi? A nuk është ende e qartë për secilin prej nesh se nuk ka rrugë të shkurtër për në BE”, ka deklaruar Rama.

Varhely: Plani i Rritjes është ambicioz, rajoni duhet të ecë para

Komisioneri për Zgjerimin e Fqinjësinë, Oliver Varhelyi ka deklaruar se Plani i Rritjes është ambicioz. Nga samiti BE-Ballkani Perëndimor ka deklaruar se ka ngelur dhe gjysma e kohës për të vënë në zbatim këtë plan, ndërsa shtoi se BE duhet të ofrojë të gjitha përfitimet për vendet që do të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Varhelyi ka theksuar se Plani i Ri i Rritjes pritet të dyfishojë ekonomive e vendeve të Ballkanit Perëndimorë në 10 vitet e ardhshme.

“Procesi i zgjerimit nuk ka të bëjë me kapitujt e ndryshëm të legjislacionit, pro është proces integrimi që do të thotë se ekonomia e BP të integrohet në BE që do të thotë që edhe BE duhet të ofrojë përfitimet që sjellë anëtarësimi përpara se vendet tuaja të bëhen pjesë e BE. Kjo është ideja që ne sjellim me Planin e Rritjes. Është plan ambicioz dhe kemi besim të plotë te vendet e BP që do arrini t’i merrni të mirat e këtij plani që ka mundësi të kontribuojë në dyfishimin e ekonomive të vendeve të Ballkani Perëndimor në 10 vitet e ardhshme. Që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë përpara vetë me shpejtësi, kjo do të thotë që të arrihen rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional. Ky plan do të funksionojë nëse ju i zbatoni të gjitha rregullat e BE”, ka deklaruar ai.

Koopman porosi Ballkanit Perëndimor: Keni vetëm një muaj kohë për të mbyllur reformat

Drejtori i Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ka deklaruar në Samitin BE-Balkani Perëndimor se duhet ritëm i lartë në punë në mënyrë që të përfitohet nga fondet e BE.

Ai u shpreh se ka mbetur vetëm një muaj kohë për mbylljen e reformave.

"Së pari udhëheqësit e pranishëm, dëshmi për angazhimin tuaj. Kjo tregon edhe ritmin e lartë që të ndodhë ndryshimi. Nuk bëhet fjalë vetëm për udhëheqësit por edhe institucionet duhet të bëjnë punët e tyre", ka theksuar ai.

Nis Samiti rajonal për Planin e Rritjes e Konvergjencës

Arlinda Sejda/RTK

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është nikoqire e Samitit rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në Tiranë ka nisur arritje e liderëve për pjesmarrjen në Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE për Planin e Ri të Rritjes.

Në këtë Samit do të diskutohet në dy panele, për hyrje në tregun e përbashkët dhe atë për planin e rritjes.

Sipas një njoftimi për media nga Kryeministria e Shqipërisë, ky Samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen europiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, raporton RTKlive. Komisioneri për zgjerimin do të mbërrijë mëngjesin e së enjtes ku do të mbajë fjalën hapëse së bashku me kryeministrin Edi Rama.

Përmes këtij samiti pritet që BE të nxisë rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në këto shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe përshpejtimi i reformave themelore.


MË SHUME NGA Shqipëri