KIPRED: Rusia ka ndikim në dialogun Kosovë-Serbi
BKT
Lajme

KIPRED: Rusia ka ndikim në dialogun Kosovë-Serbi

Sh.Çoçaj/RTKlive

Një raport i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) ka konstatuar se Rusia ka ndikim në dialogun Kosovë-Serbi. Raporti i këtij instituti analizon prapavijën historike të përfshirjes së Rusisë në marrëdhëniet e konfliktit midis të dyja shteteve dhe ndërhyrjen e Moskës në procesin aktual të dialogut që lehtësohet nga BE-ja.

Raporti “Ndikimi i Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi”, përpos që analizon qëllimet e veçanta të Rusisë në procesin e dialogut, trajton edhe kryqëzimin e këtij procesi me interesat e sigurisë, ato ushtarake dhe ekonomike të Rusisë në rajon.

“Gjetja kryesore e nënvizuar në këtë punim është që Rusia nuk e ka pasur konsistencë në qasjen e saj ndaj konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë. Në vend të kësaj, pozita e saj ka ndryshuar dhe është luhatur varësisht nga evoluimi i kontekstit të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin”, theksohet në raport.

Raporti jep hollësi të qëndrimeve ruse prej epokës së Jelcinit deri tash.

Sipas këtij raporti, Moska procesin e dialogut nuk e sheh si të izoluar nga qëllimet e veta të përgjithshme gjeopolitike në Ballkan – dhe posaçërisht nga mbajtja e Serbisë dhe serbëve brenda orbitës ruse dhe nga pengimi i zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s në rajon.

Pavarësisht se Serbia edhe pse është në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, ajo ka refuzuar që ta përafroj politikën e saj të jashtme me atë të BE-së në raport me Rusinë.

“Mungesa e unanimitetit përbrenda komunitetit euro-atlantik ndaj Kosovës – me pesë vende të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – ka krijuar më shumë hapësirë manovruese për Rusinë për t’i penguar përpjekjet perëndimore dhe për t’u angazhuar me këmbëngulje në rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe për de stabilizimin e rajonit. Kjo hapësirë është krijuar nga fakti se për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO nuk është i nevojshëm anëtarësimi paraprak në KB, ku Rusia e posedon të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, një shtysë e rëndësishme për Rusinë për ta ndikuar dialogun Kosovë–Serbi është fuqia e saj për ta bllokuar anëtarësinë e Kosovës në KB dhe në OSBE – anëtarësia e papenguar e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është një nga shtyllat kyçe të marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit, të vitit 2023.


MË SHUME NGA Lajme