Rama: Rëndësia e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë tejkalon kufijtë e vendit
Sh.Çoçaj/RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë është e një rëndësie e cila i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.
Rama është shprehur se baza ajrore e NATO- në Kuçovë është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, që sikurse theksoi kreu i qeverisë “nuk është i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperaliste të federatës ruse”.
“Jam i lumtur që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë dhe plot miq e partnerë, Aleatë, të cilët do doja të falënderoja ministrin e mbrojtjes së Italisë i cili ka ardhur me avionë luftarakë me vete dhe nga ana tjetër falënderoj miqtë e aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët pothuajse tre dekada mbajtën gjallë frymën e kësaj baze e cila sot është krejtësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë që është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperaliste të federatës ruse”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Rama ka theksuar se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e ripërtëritjes cilësore të flotës ajrore.
“Dy helikopterët e rinj dhe dronët Bajraktar, janë pjesë e një rritje që do vazhdojë”, ka theksuar ai.
Rama ka thënë se kjo bazë e re ajrore do të hapë vende të reja pune, si dhe do të ndikojë pozitivish në ekonominë lokale. Ndër të tjera, ai u shpreh se baza e re ajrore e NATO-s do të shoqërohet nga baza detare në Porto-Romano për të cilën shtoi se po punohet ngushtësisht me Aleancën.
“Nga ana tjetër, falënderoj banorët e zonës për durimin e treguar gjatë rehabilitimit e rindërtimit të kësaj baze. Uroj që kjo bazë të sjellë për ta mundësi të reja punësimi dhe mundësi të reja për zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale. Kjo bazë e re taktike ajrore e NATO do shoqërohet nga baza e re detare e NATO-s në PORTO-Romano për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe së shpejti do i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, ka deklaruar ai.
Begaj: Shkurajon aktorë të rajonit të mos projektojnë të ardhmen përmes së shkuarës
Presidenti Bajram Begaj e ka cilësuar hapjen e kësaj bazë ajrore të NATO-s në Kuçovë si një mesazh për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë dhe në rajon. Begaj tha se kjo shënon një kapitull të ri në fushën e mbrojtjes së Shqipërisë dhe bashkëpunimit me aleatët.
Ky investim ka thënë Begaj, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën.
“Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë. Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. Nga kjo bazë, Ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive. Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku. Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën”, ka deklaruar Begaj.
Presidenti tha gjithashtu se kjo bazë e NATO-s në Shqipëri do të shkurajojë edhe përpjekjet e disa aktorëve në rajon që kërkojnë të projektojnë të ardhmen përmes të kaluarës.
“Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera, terrorizmi, si dhe kërcënime të tjera përbëjnë sfida për interesat dhe vlerat që përfaqëson bashkësia euroatlantike. Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më. Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit. Ndaj, Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s, për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme. Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë”, ka thënë Begaj.
Hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë
Është hapur zyrtarisht baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë. Ceremonia e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes nisi me performimin e himneve të NATO-s dhe të Shqipërisë nga orkestra Frymore e Forcave të Armatosura.
Në këtë aktivitet marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të Aleancës.
Në nisje të ceremonisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se ky është investimi më madhor i NATO-s në Shqipëri.
“Sot deklarojmë zyrtarisht hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë. Një ekip i jashtëzakonshëm ka punuar ditë e natë për ngritjen e kësaj baze. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s”, ka theksuar Peleshi.
Ministri u shpreh se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të jetë nyje lidhëse për vendet e rajonit.
“Helikopterët Black Hock dhe dronët “Bajraktar” janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimet në bazë. Numri i tyre do rritet ndjeshëm në vijim”,ka theksuar ai.
Gjithashtu, ministri nënvizoi se kjo bazë ka kapacitet për përballjen me fatkeqësitë natyrore.
“Jo më larg se dy vite më parë askush nga ne nuk e kishte menduar që Evropa do të përballej me një agresion të tillë, siç po ndodh me agresionin rus në Ukrainë. Baza është një aset për të gjithë rajonin, ne do vijojmë përpjekjet për të vënë në përdorim të NATO-s edhe portin ushtarak të Porto Romanos”, ka thënë Peleshi.
Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një investim madhor prej 50 milionë eurosh nga aleanca dhe më shumë se 5 milionë euro të investuara nga qeveria shqiptare.
Kjo bazë ka një infrastrukturë moderne për flotën e Shqipërisë të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës, e cila i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike.























