KPK reagon për kërcënimin e prokurores Haxhosaj: Akt i papranueshëm
M.P. / RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës nëpërmjet një komunikate për media e ka cilësuar si akt të patolerueshëm kërcënimin e bërë ndaj prokurores së Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, me anë të publikimit përmes rrjeteve sociale të një afisheje me përmbajtje mortore.
“Ky akt i shëmtuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe tërësisht për sistemin prokurorial. Është një akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm, andaj KPK-ja bënë me dije se qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurores Valbona Disha-Haxhosaj dhe ofron mbështetje të plotë për punën e saj gjatë ushtrimit të funksionit në ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet në komunikatë.
Tutje KPK ka kërkuar identifikimin dhe arrestimin e kryerësve të këtij kërcënimi.
“Të njëjtit do të dalin para organeve të drejtësisë dhe se institucionet e Prokurorit të Shtetit janë duke e trajtuar seriozisht këtë veprim penal dhe në nivelin e duhur të hetimit dhe të ndjekjes gjerë në ndriçimin e plotë të tij, i cili ka për qëllim pengimin në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të saja kushtetuese dhe ligjore”, vazhdon komunikata.























