Konjufca takon ambasadorin e Malajzisë, flasin për zgjërim të marrëdhënieve
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin jorezident të Malajzisë në Kosovë, Zahid Rastam, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për mundësitë e avancimit të tyre.
Kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Rastam për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i tij ka dhënë për Kosovën, duke vlerësuar se Malajzia ka qenë njëra ndër vendet që i ka dhënë shumë Kosovës që nga pas lufta, si me prezencën e saj në Kosovë, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Ambasadori Rasam, duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, theksoi se Malajzia do të jetë mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës në të gjitha fushat, përfshirë anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se ka mundësi të zgjerimit dhe begatimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, si në fushën parlamentare, ashtu edhe në segmente të tjera me interes të ndërsjellë.
























