Hasani: AP e KiE-së vë Shqipërinë në fazën e dialogut të pasmonitorimit
Muharrem Miftari/RTKlive
Igli Hasani, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ka reaguar sot pas lajmit se Shqipëria kalon në fazën e dialogut të pasmonitorimit nga Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai, përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se ky është një lajm i mirë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
“Lajm i mirë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës! Pas 29 vitesh të gjata nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut të postmonitorimit”, ka shkruar ministri Hasani.
Sipas tij, ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, ka shkruar ministri Hasani në reagimin e tij në Facebook.























