Von Cramon mirëpret vendimin e KQZ-së për komunat në veri
G.Kelmendi|RTKlive
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se vendimi i KQZ-së për caktimin e votimit për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës “do t’i hapë rrugë depërshkallëzimit të mëtejshëm”.
“Unë e mirëpres vendimin e KQZ-së për caktimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave, gjë që do t’i hapë rrugën depërshkallëzimit të mëtejshëm. Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të respektojnë procedurat demokratike për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në veri”, ka shkruar Von Cramon në X.
KQZ sot votoi rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.
Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.























