Publikimi i fotografisë së takimit Gjuriq-Radojiçiq përcillet me reagime
Sh.Çoçaj/RTKlive
Serbia vazhdon ta trajtoj normalisht kriminelin e kërkuar nga Interpoli, Millan Radojiciq, i cili është drejtuesi i grupit terrorist në Banjskë. Në një fotografi të publikuar në rrjetet sociale, ai shihet në restorant me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, i cili përflitet se mund të jetë kryeministri i ri i Serbisë.
Pas daljes në publik të kësaj fotografie, e ka konfirmuar edhe vetë Gjuriqi, i cili nuk ka shpreh pendesë, por ka deklaruar se kjo është fushatë negative kundër Serbisë dhe se nuk e ka ndërmend t’i kërkojë falje.
“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëjë. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe më pëlqen të takohem edhe sot e kësaj dite, unë jam takuar shumë herë, në kuadër të punës sime, edhe me udhëheqës të shumtë shqiptarë, të cilët janë akuzuar nga drejtësia vendase dhe ndërkombëtare për krime të papërshkrueshme lufte ndaj popullit tim. Kjo ka qenë gjithmonë pakrahasueshëm e vështirë për mua personalisht. Si dhe takimet që kam pasur me Kurtin e Sveçlën”, ka shkruar Gjuriq në platformën “X”.
Radojiçiq kishte pranuar se ishte prapa grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Radojiçiq po vazhdon të endet i lirë në Serbi, edhe pse është vendosur në listën e të kërkuarve nga Interpoli me kërkesë të Kosovës.
Trajkoviq i reagon Gjuriqit: E ka bërë dikush nga rrethi yt i ngushtë
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq.
Reagimi i Trajkoviq erdhi pasi Gjuriq u mundua të “shfajësohet” pas publikimit të një fotografie të tij me Milan Radojiçiqin, kreun e grupit terrorist që sulmoi policinë në Banjskë.
“Marko, pa qëllim të keq dhe diskutim se kush është në këtë fotografi, por atë ka mundur ta shkrepë dikush nga rrethi i juaj dhe ta publikoj. Është e qartë se ju po shqetësoni dikë dhe se ai po përpiqet t’ju diskreditojë”, ka shkruar Trajkoviq në “X”.
Takimi Gjuriq- Radijiçiq, Sandulloviq: Cili do të jetë reagimi i SHBA-së dhe BE-së ndaj kësaj dëshmie?
Ndërsa, politikani serb Nikola Sandulloviq, në platformën “X” ka postuar foto të Gjuriqit me Radoiçiqin dhe ka pyetur BE-në e SHBA-në për reagimin ndaj kësaj.
“A mundeni ju, Miroslav Lajçak, Josep Borrell, Richard Grenell e Gabriel Escobar të përshkruani këtë foto? A keni thënë ju ambasador Hill se Serbia kurrë nuk ka pasur ambasador më të mirë në SHBA sesa Marko Gjuriqin? Ambasadori serb në SHBA, Gjuriq, që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Serbisë, është parë duke darkuar me të kërkuarin nga Interpoli dhe ta sanksionuarin nga SHBA-ja, Milan Radojiçiq, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ishte prapa sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Cili do të jetë reagimi i SHBA-së dhe BE-së ndaj kësaj dëshmie të qartë të lidhjes mes një krimineli të kërkuar nga Interpoli e një terroristi si Radojiçiq, me elitën e qeverisë serbe?”, ka pyetur Sandulloviq, i cili ishte rrahur brutalisht nga policia serbe, pasi kishte bërë homazhe te varret e Jasharëve në Prekaz.























